Si ishte pritur, dhe si e paralajmërova në shkrimin e një dite më parë, socialistët në pushtet, jo pa udhëzim nga lart, dhe kjo ishte e pritur, refuzuan kerkesën e SPAK në marrjen e lejes për arrestimin e zvkryeministres Balluku.
Nga luajalizmi politik, shumë vetë po mbrojnë një çështje, të cilën vetë e dinë se nuk është e drejtë. Që nga ky çast mund të themi se parlamenti pushoi së qenuri shteti, sepse pikërisht për shkak të luajalizmit ndaj autokracisë politike të shefit të qeverisë, ata kthyen një çështje juridike në një përplasje të ashpër politike, që , dashje pa dashje do të ketë pasojat e saj.
Një parlament i tillë, i pa vetëdijshëm për forcën dhe detyrat e tij pranon me lehtësi dhe naivitet të drejtën për të qenë të sunduar nga një pushtet tjetër. Ai humb PAVARËSINË e tij, të drejtën që në çastin e vendimtar të thotë fjalën e fundit, e kjo do të thotë se humb pjesë të rëndësishme nga sovraniteti i tij. Sovraniteti nuk mund të ndahet.
A do e marrë me vete rënia e Ballukut qeverinë e katërt të së majtës?
Po bëj për disa çaste rolin e “Kasandrës”, duke parashikuar se Balluku do të jetë fajtore në të gjitha akuzat që i janë bërë deri tani, që nga më e parëndësishmja e deri tek më e rënda, e njëkohësisht, duke i kërkuar ndjesë gjithkujt për këtë “parashikim” medial.
Çfarë do të ndodhë më tutje? A do të jetë ajo dhe faktori korupsion, shenja e rënies së një qeveri, e sapo votuar, duke marrë më shumë se gjysmën e besimit të njerëzve që morën mundimin të votonin? A do të bjerë qeveria, bashkë me të, meqenëse ajo ishte për disa vite njeriu më i besuar i kabinetit Rama dhe më i votuari pozitivisht nga njerëzit , e cila, në[ një qark të së majtës, si Fieri, në zgjedhjet e fundit dërmoi opozitën, që prihej nga numëri dy i saj, Bardhi? Mllefi i këtij të fundit është ciklopik, humbja ishte e jashtëzakonshme, ai u rikthye përkohësisht në skakierën pçolitike të së djathtës, si djali plangprishës, përmes një enigme që ende nuk është zgjidhur!!!
A është i lidhur fati i Ballukut me fatin e “Rilindjes”, si veçanti e Partisë Socialiste, apo rrugët janë të ndara dhe fati i njërit nuk do të kërcënojë edhe fatin e tjetrit?
Nëse ajo do e kishte ndarë fatin e saj me forcën politike ku është pjesë e rëndësishme, do të bënte veprimin e duhur: të dorëzonte mandatin e deputetes, të vetafrohej, dhe , nëse është e bindur se fati i saj nuk është në duart e SPAK, por në të vërtetën e saj, të rishfaqej përsëri, ashtu si deri më tani, e sigurt në vetvete, e bindur në pafajësi, e pushtetshme , duke flakur perdet pas së cilave po e vendosin, me dëshirën e saj, në një skenë politike të mbushur tashmë me fatkobe të tilla për kombin, mashtrim, korrupsion, padrejtësi, zhvatje.
Balluku ishte e mbetet deri tani një nga figurat politike më jetë gjata në jetën plurale të vendit. Më dukjet dhe heshtjet e saj, me protagonizmin e pazakontë dhe tërheqjen e kujdesshme, me lidhjet në dy kampet dhe përdorimin pa asnjë dhimbje të gjithë secilit që ishte i gatshëm t’i shërbente, që nga drejtorët e saj dhe deri te figurat e njohura të opozitës, disa nga të cilët paguheshin prej njerëzve të Ballukut. E gjendur kudo dhe e përfolur që në ditën e parë të saj si pjesë e kabinetit. E sulmuar dhe e mbrojtur. Dalëngadalë u bë njëra ndër figurat më kryesore të socialistëve dhe njëri ndër krahët veprues të kryeministrit Rama. Në të vërtetë, ajo nuk ishte një figurë e re në mesin e një elite të së majtës , ndoshta edhe nga vetë natyra e saj, deri diku mospërfillëse, u bë Zj. Ministre që nuk ia vari shumë “të vjetërve”, edhe kur ata kishin të drejtë. Në fakt, pas rënies së veliajt ajo u bë figura e dytë brenda së majtës, por ku, si duket, ishte një lulëzim kohë shkurtër, dhe me enigma të mëdha pas vetes. Ndoshta ishte njeriu më pnëtor në një kabinet ku kishte tepër dembelë, por edhe më e dukshme në punën e saj. Tani, sado “ mbrojtje” të ketë, rënia sapo ka nisur, rrëshqitja është e vazhdueshme, duket sikur përplasjet e nëndheshme brenda së majtës e nxorrën atë në breg dhe të lehtë për të qenë në syrin e SPAK.
A është gjendja e saj e tanishme pasojë e luftës së ftohtë mes saj dhe Veliaj, pavarësisht përbetimeve për besnikëri të dyanshme dhe të përjetëshme që bëheshin në media të gatshme për të qenë të pranishme?
Nga ana tjetër, ndoshta si një fillesë e ardhshme për lidershipin e partisë, ku kishin hyrë në të njëjtën kohë dhe ishin të baraz afruar me shefin e tyre, në anën tjetër të shpatullës së Ramës qëndronte Veliaj, që ndryshe nga ajo, Balluku , ishte kurdoherë me një portë të hapur për elitën e vjetër, por edhe për të gjithë ata që ishin të gatshëm të bashkëpunonin, qoftë për planet afatshkurtëra, qoftë për mendimin e një perspektive të ardhshme.
Zaret ishin hedhur. Mes tyre qëndronte hija e rëndlë dhe autoriteti i padyshimtë i Ramës, por, asnjëra e as tjetra, nuk kanë lidhje me atë çka mund të ndodhë: rrënimin përfundimtar të një kariere që nisi plot shkëlqim, u bë befas ndriçuese dhe që po merr rrokullimën pa e ditur askush se kur filloi rënia e tsaj dhe nëse do të ketë edhe një herë ngjitje. Tani, si ndodh shpesh në politikë, as njëri e as tjetri nuk bëjnë pjesë në skakierën e politikës. “ Mbretërit “ u rrezuan, “ ushtarët po bëjnë rolin e tyre.
A do të rrëzohet edhe qeveria e mandatit të katërt Rama sëbashku me Ballukun?
Opozita, sidomos analistët pranë saj dhe të zemëruar prej kohësh me Ramën, nuk e kanë për gjë kokën e Ballukut. Ajo është përshfaqja e parë e delirit të hakmarrjes politike, për të ardhur në pushtet përmes rënies së një figure politike të kundërshtarëve të saj, përmes ngritjes popullore, çka ka pak mundësi të ngjasë, ose, si tha njëri “ nga “ideologët” e saj, Gazmend Bardhi, përmes revolucionit popullor, që do të drejtohet përmes bandave të tij.
“Koka” e Ballukut tani nuk është asgjë. Prej momentit të parë të daljes së mesazheve opozita kërkon rrëzimin e Ramës. Këtë do e kishte bërë çdo opozitë, edhe të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve. Por me kushtin që vetë opozita të ketë integritetin e saj politik, moral e njerëzor. Asnjërin prej këtyre kushteve nuk e ka opozita e sotme, as ajo e vogla dhe as ajo e madhja. Të dyja bashkë nuk bëjnë as gjysmën e tepsisë së pushtetit që ngulmojnë ta marrin të gjithën. Ndodh kështu jo sepse votat janë vjedhur, jo sepse ka patur manipulime, jo se shefi i qeverisë Rama mnipuloi votat. Sado të vërteta të ketë në këtë mjedis, asnjëra prej tyre nuk është përcaktuese.
Por, sepse vetë ajo, opozita e tashme është pjesë e bandave, e krimit të organizuar, krijimit të grupeve paramilitare, e ndërtimit të një strukture të jashtëligjshme përgjimi e veprimi banditësh, dhe se, mbi të gjitha, e provuar në pushtet, secila nga tetë vite, nuk bënë asnjëherë të duhurën, të drejtën, të saktën dhe të moralshmen.
Asnjëri prej drejtuesve të tashëm të opozitës nuk është lider dhe as nuk ka shtatin e liderit. Çuditërisht, edhe pas 35 viteve, ata mbahen tek i njëjti njeri, duke u kacavjerrur si liliputë pas shtatit të tij, duke e bërë fakt të kryer se pushteti i tyre qëndron në vijën Berisha, dhe se, mes tyre, të pakët janë ata që kanë ende sovranitetin e tyre njerëzor. Edhe të mendosh në kreun e pushtetit një figurë meskine, të djalëzuar dhe rrëshqitës si Bardhi është meskinitet.
Balluku , në fakt, ka rënë. E gjithë ajo që është ngritur ndaj saj, edhe në rastin sikur të rezultojë e gjitha stuhi në gotë uji, e ka përmbysur figurën e saj si njeriu i politikës. Ajo erdhi deri këtu, kishte shansin e pazakontë të bëhej njeriu i një të majte të emancipuar, por gabimet dhe fajet, nganjëherë foshnjore, historia banale e mesazheve meskine, edhe sikur të përmbysen të gjitha si të pavërteta, nuk ia kthejnë staturën e tij si njeriu i pritshëm i një politike moderne.
Do e marrë ajo me vete edhe të gjithë qeverinë, që deri dje ishte e tij?
Balluku dhe qeveria Rama, ndonëse nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, nuk janë e njëjta gjë. Janë dy gjëra që, duke pasur lidhje të shkëputura me njëra tjetrën, përsëri janë të ndara. Njeriu i parë që do e largojë atë, sapo të mbarojë vala e linçimit publik, do të jetë vetë shefi i qeverisë. Roli i saj mbaroi. Perdja për të ka rënë.
Për të përmbysur qeverinë nuk ësht i mjaftueshëm rasti Balluku, as bombat molotovë në protestave të opozitës, as mallkimet e shefit të opozitës, as linçimi që ai kërkon të ndodhë në selitë e socialistëve, as konflikti që synon të nxitë mes qytetarëve të këtij vendi. Duhet përmbysur verdikti i majit të vitit 2025.
Nëse ai verdikt nuk përmbyset përmes idesë, vizionit, progresit të mendimit dhe përshfaqjes së një opozite moderne, aspak agresive dhe përmbysëse, ende pa i vënë të ndenjurat në ulëset e parlamentit, qeveria as nuk do të bjerë e as nuk ka ndër mend të largohet. Të ikte një qeveri përmes deklaratash për luftë dhe revolucion popullor, asnjë e tillë nuk do të kishte ngelur një muaj në pushtet.
Rasti Balluku, edhe nëse është plotësisht i saktë, qoftë edhe në iluzionet më dërmuese të opozitës, nuk është plotmëria e qeverisjes.
Rasti Balluku, edhe nëse është i saktë deri në detaje, nuk mund të marrë me vete krejt një qeverisje, pasi, në çdo vend të botës, edhe në shtetet më demokratike, me një ligjëshmëri të konsoliduar dhe plotëni ligjore, rrënimi i njërit nuk është rënimi i të gjithëve. Po të ishte kështu, do të duhej rrënimi i gjithë PD-së në vitin 1997, sepse u rrënua krejt vendi dhe lideri i asaj ishte asaj kohe njeriu më i mallkuar i shqiptarëve; po të ndodhte kështu duhej rrënuar krejt qeverisja Berisha 2005 – 2013, pasi tragjeditë e rënda të Gërdecit dhe vrasjet mizore të 21 janarit do të hidhnin në erë çdo lloj qeverie.
Asnjëherë , në këto katër mandate , e majta nuk ka qenë kaq e lodhur, e mposhtur nga vetja, e pavetëdijshme për meskinitetin e saj dhe e dërmuar nga korrupsioni. Duhet të bjerë, por nuk do të bjerë lehtësisht.
Qeveria bie kur njerëzit vendosin se kjo është rruga e duhur.
Dhe kur ata të vendosin, nuk do e bëjnë këtë për një grusht mashtruesish ordinierë, të pasuruar barbarisht, krijues të një regjimi despotik dhe vrastar, të cilët, edhe njëherë kërkojnë një përmbysje totale, pikërisht sepse u bënë disa vite larg tepsisë së pushtetit dhe e kërkojnë me ngulm./DITA









