Gjatë një takimi të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur si komisioni “Xhafaj”, u diskutua mbi avancimin e mbikëqyrjes parlamentare, duke theksuar nevojën për rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi ekzekutivin.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e argumentoi këtë avancim duke cituar raportin e eurodeputetëve, i cili nënvizon rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes dhe konsultimeve me shoqërinë civile.
“Në disa paragrafë të rëndësishëm të raportit të eurodeputetëve, nënvizohet rëndësia e mbikëqyrjes parlamentare, duke inkurajuar forcimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, rritjen e transparencës dhe konsultimin më domethënës me organizatat e shoqërisë civile, partnerët social dhe institucionet e pavarura.”
Nga ana tjetër, Ermal Elezi, anëtar i komisionit, shtoi: “Raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvend nuk duhet të kufizohet vetëm në një vlerësim të veprimtarisë së vetë institucionit, por duhet të shërbejë edhe si një instrument përmes të cilit Kuvendi ushtron mbikëqyrje të informuar dhe të specializuar mbi sektorë të caktuar të qeverisjes publike.”









