Komisioni për Legjislacion ka miratuar amendamentet e presidentes Vjosa Osmani për ndryshimin e mënyrës se si do të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Pas një debati të nxehtë, amendamentet që parashikojnë zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët janë miratuar me 6 vota pro dhe 2 kundër. Këto amendamente tani do të kalojnë në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar.
Nëse amendamentet miratohen nga Kuvendi, ato do të ndryshojnë Nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës dhe do të vendosin që presidenti të zgjidhet përmes votës popullore.
Sipas amendamenteve, nëse asnjë kandidat nuk arrin shumicë absolute në rundin e parë, do të zhvillohet një rund i dytë mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.
Po ashtu, amendamentet parashohin që ish-presidentët të mund të garojnë për postin e presidentit, ndërkohë që mund të shtohet një nen i ri që mundëson vazhdimin e mandatit të presidentit aktual derisa të zgjedhet presidenti i ri.









