Lufta politike mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit ka sjellë çarjen e Listës Guxo të themeluar nga Presidentja në largim disa vite më parë. Deputeti Haxhi Avdyli dha dorëheqjen nga lista Guxo.
Kryetarja e Partisë “Guxo”, Donika Gërvalla Schwarz përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me dorëheqjen e deputetit Avdyli. Gërvalla thekson se e pranon dorëheqjen e tij dhe se kjo është një zgjedhje e tij e vullnetshme.
Më tej Gërvalla reagoi lidhur me pretendimet për motivet e dorëheqjes duke theksuar se nuk përfshihen në debatet dhe linçimet publike të askujt dhe as më pas të presidentes së vendit.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale, kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli, paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme.
Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, Partia Guxo e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo.
Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!
Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës.
Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në reagim.
Por pse dha dorëheqjen deputeti Haxhi Avdyli? Avdyli ka thënë se si një njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët ka dallime politike, nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë. “Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicje legjitime të dallueshme nga Partia”- ka shkruar ai në Facebook.
Avdyli ka thënë se qëndrimin e tij për procesin e fundit politik, e ka thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të kryeministrit Albin Kurti, e po ashtu edhe në kryesi të GUXO.“Ne disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që nuk po pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik.
Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë , miqë të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës”- ka shkruar ai.
Presidenca e Kosovës gjatë ditës e ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Halil Geci ndaj presidentes Vjosa Osmani, pasi në një postim publik ai përdori fjalën “pushkatim”. Ky institucion, u ka bërë thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe t’i trajtojnë në përputhje me ligjin.
“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike”- ka shkruar Presidenca në një reagim, për të cilin më pas sqaroi për Kallxo.com se bëhet fjalë për postimin e Gecit.
Por, Halil Geci në një reagim ndaj deklaratës së fundit të Presidencës, ka thënë se ka shprehur mendimin e tij për çështje që lidhen me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai nuk ka shprehur falje, përkundrazi gjuhën që e ka përdorur e ka konsideruar si liri të shprehjes.Pas reagimit të Presidencës, Geci e ka modifikuar postimin e tij publik duke e hequr fjalinë ku përdoret fjala “pushkatim”.
Modifikimi është bërë në orën 10:59 minuta më 09.03.2026, kurse postimi fillestar ishte publikuar po në këtë datë por në orën 04:28 të mëngjesit.“Ja pse kjo ‘atdhetare’, që e mban emrin e Ibrahim Rugovës në gojë si bananen për Bajram, bëri grushtet. Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”- kishte shkruar Geci në Facebok, por më pas e ka fshirë fjalinë e fundit.









