Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 31 mars që të ratifikojë marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.
Por, e gjithë puna e Kuvendit është e ngrirë deri në këtë datë nga Gjykata Kushtetuese, përmes masës së përkohshme të vënë pas kontestimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.
Marrëveshja për projektin që prek KEK-un, është njëra nga tetë sosh sa i ka legjislatura aktuale në sirtarët e saj.
Ndër to është janë edhe:
Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor
Dy amendamente të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA
Dy marrëveshje për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): njëra për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe
Marrëveshja për kredi me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe “kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit”.
Nga Banka Evropiane e Investimeve thanë se ratifikimi i marrëveshjes “është i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.
“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë.
Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri.
Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”./REL









