Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, kanë përmbyllur një vizitë zyrtare në Berlin, ku u takuan me Ministrin e Shtetit për Europën të Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, Gunther Krischbaum.
Gjatë takimit, deputetët e opozitës shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ata theksuan se integrimi nuk është një çështje propagande, por një proces që kërkon përmbushjen e standardeve dhe arritjen e meritave.
Megjithatë, Bardhi dhe Tabaku ngritën shqetësimin se qeveria e Edi Ramës po e largon Shqipërinë nga Bashkimi Europian, duke mbrojtur korrupsionin dhe duke shkelur parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit.
Ata apeluan për hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe për përmbushjen e kërkesave të BE-së për një proces të drejtë dhe të pakthyeshëm të integrimit.
/5pyetjet.al









