Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por ajo është akuzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë se po e zvarrit procesin “qëllimshëm”, pavarësisht se po rrjedh një afat kushtetues për këtë.
Duke folur në një seancë parlamentare të enjten, kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i LVV-së, bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se vendi nuk ka luks për vonesa e bllokada.
“Tani na duhet të punojmë sa më shumë që të mundemi së bashku, e jo të kemi bllokada të reja. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës”, tha Kurti drejtuar ligjvënësve.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe, nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Duke folur para seancës të enjten, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e akuzoi partinë e Kurtit se po e zvarrit procesin e zgjedhjes së presidentit të ri për interesat e veta.
“LVV-ja e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, megjithëse afati kushtetues po rrjedh, partitë parlamentare nuk kanë bërë ndonjë hap deri tani drejt arritjes së pajtueshmërisë për presidentin e ri.
Haradinaj tha se partia e tij, e cila ka 6 vende në Kuvend, nuk ka vendosur si të veprojë, në pritje të një lëvizjeje nga Kurti.
“AAK i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë”, shtoi Haradinaj.
Kurti u tha ligjvënësve të enjten se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare të serishme “si ikje nga përgjegjësia që na takon”.
Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.
Për partitë opozitare, dy emrat e paraqitur nga partia në pushtet ishin të papranueshëm dhe ato këmbëngulën në marrëveshje politike ose të paraqitej një emër i pranueshëm për të gjithë.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet./ REL









