Kuvendi ka nisur me debate të forta për sigurinë kombëtare pas paralajmërimit të ambasadës amerikane se Shqipëria mund të jetë cak i sulmeve të Iranit. Opozita përmes deputetëve Tritan Shehu dhe Fatmir Mediu kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“I kërkoj Presidentit që të thërrasë urgjent mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Arsyet janë mëse të shumta, Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin që kur kemi pranuar MEK, e dyta kur larguam shërbimin diplomatik, e treta ku shpallët Gardën Revolucionare organizatë terroriste” kërkuan Mediu dhe Shehu. Por ministri i Jashtëm Ferit Hoxha u shpreh se situata në Shqipëri është e sigurtë.
“Ne nuk kemi asnjë informacion mbi cështjet që trajtonte ambasada amerikane, por qëndrimi i ministrit të qeverisë ishte përtej skandaloz. Përpjekjet për të diskredituar informacionin e SHBA si hamendësim është skandaloz ose nuk ka bashkëpunim ose besim. Kryeministri duhet të vijë dhe të përgjigjet; Pse e cilësoi hamendesim paralajmërimin e SHBA-së, a ka koordinim dhe cfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA dhe masat që janë marrë” tha kryetari i grupit demokrat Gazment Bardhi.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i qetësoi. “Nuk ka vend për t’u shqetësuar, ka vend për të pasur kujdes për sigurinë në një kohë kur bota ndodhet në një kohë shumë të vështirë. Kërkesa besoj se ka shkuar për të gjitha ambasadat e SHBA në Europë dhe qytetarët amerikane. Nuk është informacion i saktë se informacioni ka qenë vetëm për qytetarët e Shqipërisë. Jemi të cenuar nga veprimtaria e aktorëve të lidhur me atë shtet. A do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare? Do të flasim” tha ai.









