Familjarët, miqtë dhe kolegët e Ilir Shkurti i dhanë sot lamtumirën e fundit aktorit të njohur, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 68-vjeçare.
Ilir Shkurti do të kujtohet për energjinë, humorin dhe talentin e tij, që solli në skenën e Estradës së Pogradecit, në teatër dhe në filmat shqiptarë.
Ai ka marrë pjesë në disa produksione të rëndësishme të kinematografisë, përfshirë “Rrethimi i vogël”, “Binarët”, “Ngjyrat e moshës”, “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “Kush vdes në këmbë”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në periudhën e Kinostudios shqiptare.
Ndarja e tij shënon një humbje të madhe për komunitetin artistik, por kujtimi i Shkurtit do të mbetet gjithmonë i gjallë mes atyre që e njohën dhe e vlerësuan për kontributin e tij në jetën kulturore të Pogradecit dhe Shqipërisë.









