Gjatë takimit me pensionistët e Njësisë nr. 2 në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Ai hodhi poshtë aludimet se negociatat janë bllokuar, duke shtuar se çdo gjë po shkon sipas planit.
“Dua të shtoj edhe diçka tjetër se ju intereson juve më shumë sesa këtyre që janë nëpër këto tenxheret e mediave, se jam i bindur që i keni parë edhe ju; “u bllokua anëtarësimi”, “u bllokua integrimi”, “u ndalua përparimi”, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që negociatat vazhdojnë sipas planit dhe në këtë fazë jemi në kushtet kur kemi hapur, të gjithë kapitujt e negociatave dhe tani jemi duke diskutuar me Komisionin Europian, duke negociuar ato që quhen piketat e ndërmjetme, që janë një sërë piketash të ndërmjetme me të cilat bie dakord me Komisionin Europian, që për x gjëra afatet janë këto, për x gjëra të tjera janë këto, për x gjëra të tjera janë këto dhe këto qëndrojnë si një aneks në procesin e negociatave që do të thotë që fundi i marsit dhe prilli ishin të planifikuara në kalendarin e punës tonë me komisionin si momenti i diskutimit mes nesh dhe vendeve anëtare për piketat e ndërmjetme”, u shpreh Rama.









