Eksperti i teknologjisë, Besmir Semanaj shkruan se sateliti “Albania 1”, i prezantuar disa vite më parë si pjesë e strategjisë për mbikëqyrjen satelitore të territorit, rezulton të jetë djegur në atmosferë më 29 janar 2026, duke përfunduar kështu misionin e tij.
“Një satelit u dogj. Po përgjegjësia?
Na u prezantuan me bujë dy satelitë, Albania 1 dhe Albania 2, si zgjidhja moderne për gjithçka, nga ndërtimet pa leje te kanabisi dhe zjarret. U fol për teknologji, për kontroll, për një shtet që më në fund “sheh”.
Sot, njëri prej tyre nuk ekziston më. Albania 1 është djegur në atmosferë më 29 janar 2026. Nuk është as dramë teknologjike, as fundi i botës. Satelitët bien. Por ajo që nuk duhet të bjerë është përgjegjësia.
Këtu nuk bëhet fjalë për një pajisje që u prish. Bëhet fjalë për miliona euro publike dhe për premtime konkrete që u bënë publikisht.
Deri sot nuk kemi një shifër të qartë se sa ka kushtuar realisht ky projekt. Thuhet 6 milionë dollarë, por në Shqipëri “thuhet” dhe “është” rrallë përputhen.
Nuk kemi asnjë raport serioz me rezultate: sa ndërtime janë zbuluar falë këtyre satelitëve, sa parcela kanabisi, sa raste zjarresh janë menaxhuar ndryshe për shkak të tyre.
Dhe mbi të gjitha, nuk kemi një konfirmim zyrtar për diçka që tashmë është fakt: a do ta thotë qeveria hapur që Albania 1 nuk është më në orbitë?
Heshtja është problemi. Sepse kur mungon transparenca, çdo projekt duket si sukses në letër dhe dështim në realitet.
Në fund mbetet një pyetje shumë e thjeshtë: sa kemi paguar dhe çfarë kemi marrë realisht në këmbim?
Një satelit mund të digjet në atmosferë. Paratë publike jo” shkruan ai.









