Partia Demokratike e Kosovës zhvilloi sot tubimin e parafundit të fushatës zgjedhore në Mitrovicë, ku drejtuesit e saj dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza u drejtuan ndaj qytetarëve, duke kritikuar qeverisjen aktuale të Albin Kurtit dhe duke prezantuar programin e PDK-së për rritjen e pagave, pensioneve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime të larta, krizë dhe vështirësi për qytetarët, dhe kjo situatë duhet të ketë një fund, sepse qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta kthejë Kosovën kah e mbara. Ne garojmë me një program konkret: do të krijojmë kushte të favorshme për bizneset, nuk do t’i sulmojmë, por do t’i mbështesim dhe do të krijojmë ambient miqësor për zhvillim. Kur të rritet buxheti, do t’i rrisim pagat dhe pensionet për 50%, ndërsa për pensionet nuk do të ketë më vlerë më të vogël se 300 euro. Për shëndetësinë, do të zgjerojmë listën e barnave esenciale dhe do të sigurojmë furnizim të mjaftueshëm, si dhe do të garantojmë sigurimet shëndetësore. Në arsim, synojmë modernizim dhe digjitalizim të sistemit, fond për bursa dhe 30 milionë euro për bursa. Për çiftet e reja do të subvencionojmë dallimet mes çerdheve publike dhe private. Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike, përfshirë projektin e gazit, do të rivitalizojmë Trepçën dhe do të përfundojmë rrugët ekzistuese, duke lidhur autostradat dhe hekurudhat. Ju lus që deri të dielën të flisni me miq e familjarë për të votuar PDK-në dhe për të sjellë ndryshimin që Kosova ka nevojë.”
/5pyetjet.al









