Gjykata e Posaçme merr vendimin për kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili pretendonte pezullimin e vendimit të dënimit me 2 vite burgim dhe rikthimin në qeli për ta vuajtur penalitetin për dosjen e dytë të SPAK, lidhur me tjetërsimin e pronave.
Vendimi i GJKKO ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Goros dhe avokatit të tij, duke lënë aktive vendimin dhe kërkesën e SPAK për rikthimin e tij në burg.
Vendimi i GJKKO-së:
“Kërkuesi Jorgo Goro me datë 31.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 476 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 258, datë 05.05.2026, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit, të dënuarit Jorgo Goro, me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në prova dhe ligj.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.









