Deputeti i Partisë Socialiste e Shqipërisë, Erion Braçe, ngriti në Kuvend shqetësimin për çmimet e larta të hidrokarbureve në vend, duke theksuar se situata lidhet jo vetëm me krizën, por edhe me mënyrën se si funksionon tregu dhe sistemi i taksave në Shqipëri.
Gjatë debatit, ai pati edhe replika të forta me Sali Berisha për politikat e ndjekura ndër vite në sektorin e karburanteve.
“Modeli i tregut mban çmimet e larta dhe për shkak të këtij modeli tregu kemi këtë situatë. Çmimi neto pa taksa vazhdon të mbetet më i larti. Askush nuk e merr kurajën të flasë për modelin e tregut apo për modelin e taksës që ne kemi. Ne kemi akcizë, unë këtu kam qenë, taksën e qarkullimit e keni sjellë ju brenda çmimit të hidrokarbureve. E kishin 7 lekë, është zgjedhja jonë që e kemi bërë 27 dhe më vjen keq që qeveria nuk vjen ta thotë me zë. Ne jemi munduar të bëjmë drejtësi, sepse me këto tarifa të ulëta janë favorizuar konsumatorët e mëdhenj,” shprehet Braçe në Kuvend.









