Pas daljes nga Kuvendi, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për procesin zgjedhor dhe funksionimin e institucioneve në vend, duke e cilësuar situatën si problematike dhe duke ngritur pretendime për ndikim politik dhe mungesë transparence.
“Natyrisht denoncoj blerjen e votës, ndërhyrjet e tjera, por raporti dëshmon se Edi Rama nuk bën zgjedhje të vërteta, por farsë elektorale. Raporti ndalet në mënyrë të veçantë te parlamenti. Siç e dini janë përplasje të jashtëzakonshme të Edi Rama për të asgjësuar parlamentin dhe ai ka fobi të madhe tani për sallën e parlamentit. Nuk vjen dot ai në parlament se ka frikë, që t’i lexohen mesazhet e Lubisë. Edhe sarajet në Surrel i ka ndërtuar nga kompanitë që i ka shpërblyer 10 fishin. Nuk vjen dot ai sepse nuk përballet dot me të vërtetën. Nuk vjen dot ai për lidhjet e tmerrshme që ka me krimin, për sistemin korruptiv që ka nënshkruar.”
I pyetur nga gazetarët, Sali Berisha foli edhe për protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme që do të zhvillohet në orën 19:00, duke e cilësuar atë si një tubim të madh dhe duke ftuar qytetarët të marrin pjesë.
“Do të jetë një protestë e madhe, i ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen, nuk do të jap skenarin live se çfarë do të ndodhë në protestë,” u shpreh ai.









