Ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi një takim me demokratë dhe mbështetës në qytetin e Peshkopisë, ku artikuloi kritika të forta ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike dhe qëndrimeve të kreut të saj, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Ai theksoi se ndryshimi brenda partisë është i domosdoshëm për rikthimin e PD-së në pushtet dhe për rifitimin e besimit të demokratëve.
“Gara është nëpër sheshe, nëpër salla, demokratët janë në këmbë. PD nuk mposhtet, nuk uzurpohet dhe nuk ecën dot mbrapsht. Dua t’u përgjigjem atyre që thonë a ke figura që të mbështesin: më të votuarit e Tiranës, Elbasanit, Kukësit, Durrësit, Shkodrës janë ata që përzgjedhin demokratët, jo një lidership që ka uzurpuar PD për interesa personale. PD nuk duhet të jetë frëngji ku gjuhen ambasadorët, siç ndodhi sot që BE reagoi më vete. Qëndrimi nuk ishte i PD-së, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe e mban peng Partinë Demokratike. Nuk fitohet duke sulmuar të gjithë, por duke bashkuar dhe ndërtuar partneritet. Vetëm duke bërë këtë kapërcim cilësor, PD mund të hapet dhe të fitojë,” deklaroi Salianji gjatë takimit.









