-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Anëtarësim në BE, jo në Komisionin Europian!

Kryesoret

Edhe në ligjërimin politik dhe diplomatik të liderëve tanë politikë dhe qeveritarë të ditëve të fundit bie në sy mbivlerësimi, madje fetishizimi i rolit dhe peshës së Komisionit Europian lidhur me procesin e anëtarësimit në BE, duke nënvleftësuar rolin jetik të 27 vendeve anëtare. Aq sa të krijohet përshtypja se ne synojmë anëtarësimin në Komisionin Europian në Bruksel dhe jo në Bashkimin Europian me 27 shtete anëtare! Vetëm kohët e fundit, Kryeministri Rama, ndoshta edhe në ndikimin e ministrit të ri të Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili e njeh mirë BE-në në terren ka reflektuar, duke përmendur edhe “katin e dytë” dmth., Këshillin Europian, i cili ka përparësi dhe vendos përfundimisht mbi propozimet e Komisionit Europian, sidomos kur vjen puna për anëtarësimin në BE. Kjo është shenjë e mirë, por jo kur përdoret si “gjethe fiku” për të mbuluar problemet dhe mangësitë e shumta që kemi. Sepse në të kaluarën kemi bërë shumë gabime dhe jemi ngutur duke u mbështetur kryesisht në rekomandimet e Komisionit Europian, duke i marrë ato si të mirëqena, edhe pse kanë qenë dhe mbeten propozime të karakterit teknik

Ndaj, më poshtë po ndalemi konkretisht në trajtimin e rolit, peshës dhe marrëdhënieve institucionale brenda BE-së dhe sidomos raportet midis Komisionit dhe Këshillit Europian ose vendeve anëtare. Këtu do t’i referohem edhe përvojës diplomatike 10-vjeçare në Bruksel dhe në vijim, të cilat janë pasqyruar në shkrime të mëparshme, si edhe në librin “Negociatat – sfida e fundit e integrimit” ( 2024).

Dihet se BE-ja u krijua më 25 mars 1957 në Romë, si bashkim vullnetar i 6 vendeve të para, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu; më vonë u zgjerua derisa në ditët e sotme numëron 27 vende. Fillimisht njihej si Tregu i Përbashkët Evropian (TPE) derisa më 1993 filloi të quhej Bashkimi Evropian (BE). Vendet anëtare përbëjnë atë që njihet si Këshilli i BEsë, të cilin e kryeson ishKryeministri portugez, Antonio Costa. Ndërkohë, më vonë, vendet anëtare ranë dakord dhe krijuan Komisionin, Parlamentin dhe vitet e fundit Shërbimin e Jashtëm Evropian, të cilat janë instrumente dhe institucione në shërbim dhe vartësi të tyre. Kësisoj, praktikisht, nëse Komisioni dhe Parlamenti Europian janë në të njëjtin nivel hierarkie, poshtë tyre Shërbimi i Jashtëm ose diplomacia e BE-së, mbi to qëndron në çdo aspekt Këshilli dmth., liderët e të 27 vendeve anëtare të BE-së. Madje, janë këta të fundit që zgjedhin çdo pesë vjet drejtuesit më të lartë të Komisionit, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm Europian.

E thënë ndryshe, BE-ja përfshin dy formate kryesore, atë ndërqeveritar, të përfaqësuar nga të gjitha vendet anëtare dhe supranacional të përfaqësuar nga Komisioni, Parlamenti dhe Shërbimi i Jashtëm, krahas Bankës Qendrore Europiane, Gjykatës së Drejtësisë, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut etj..

Për të ardhur aty ku na dhemb dhëmbi, pra çelja dhe mbyllja e grup-kapitujve të negociatave të anëtarësimit dhe zgjerimit europian, mbi bazën e traktateve ligjore të BEsë, për to vendosin drejtuesit më të lartë të 27 vendeve anëtare duke pasur edhe të drejtën e vetos ose bllokimit të një vendimi të caktuar, çka e kemi parë të zbatuar edhe në rastin tonë nga Greqia, e cila bllokoi edhe Maqedoninë e Veriut për 15 vite rresht. Për pasojë, asnjë vendim nuk mund të merret pa miratimin e secilit vend anëtar, duke përfshirë dhe më të “vegjëlit” Maltën, Qipron dhe Luksemburgun.

Pra, le ta qartësojmë dhe saktësojmë se ndonëse çeljen dhe mbylljen e negociatave i propozon Komisioni Europian, por për to vendos Këshilli Evropian, duke u ratifikuar nga të gjitha parlamentet e tyre dhe ai Europian! Me një fjalë, përgjigjen përfundimtare nëse i kemi kryer “detyrat e shtëpisë” dhe sidomos “notën kaluese” politike e jep ky Këshill, pra qeveritë dhe parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe jo Komisioni Europian!

Vërtet që ky i fundit që është me fjalë të tjera “qeveria e BE-së” ka shumë kompetenca dhe të drejtën ligjvënëse në të gjitha fushat; mirëpo, kur vjen puna te negociatat dhe zgjerimi, veç propozimeve dhe sugjerimeve, ai nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e secilit vend anëtar.

Një ndër arsyet kryesore për epërsinë e kryeqyteteve evropiane ndaj Komisionit Evropian në Bruksel në këtë fushë specifike lidhet me disa dallime thelbësore në natyrën dhe qasjet e tyre; kështu, Komisioni është vetëm subjekt ndërsa Këshilli edhe objekt i politikave dhe problematikave në vendet e tjera kandidate; ndryshe nga Komisioni, Shërbimi i Jashtëm dhe Parlamenti Evropian të cilat kanë karakter “supranacional” vendet anëtare janë shumë më pranë elektorateve, medias, opozitës dhe “humorit” politik të publikut; po ashtu, Komisioni nuk zgjidhet në votim të drejtpërdrejtë sikurse ndodh me liderët e vendeve anëtare por ai emërohet, duke përfaqësuar atë që njihet si burokracia e Brukselit.

Dallimi tjetër qëndron në faktin se Komisioni bën vlerësime vetëm ose kryesisht me fakte, shifra dhe përqindje zyrtare, kurse Këshilli edhe mbi bazën e perceptimeve dhe rreziqeve që krijojnë shifrat dhe sidomos dukuri të tilla negative si azili, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, në vendet e tyre.

Për rrjedhojë, që të çelen dhe të mbyllen negociatat e anëtarësimit në BE, duhet të krijohen bindje dhe perceptime pozitive edhe tek elektoratet, qeveritë dhe parlamentet e secilit vend anëtar e sidomos të atyre skeptike. Ca më tepër tani kur roli dhe pesha e tyre dhe e faktorit ndërqeveritar është rritur ndjeshëm.

Në disa raste, nga liderët tanë dhe Kryeministri Rama është përmendur shpesh, madje si i fakt i padiskutueshëm se Komisioni Europian ka ekspertizën më të mirë, ndaj edhe vlerësimi i tij ka epërsi kundrejt atyre të vendeve anëtare! Tani, është e vërtetë që Komisioni shquhet për ekspertizën e një niveli shumë të lartë, çka e mundëson të paraqesë propozime të mirargumentuara teknikisht.

Mirëpo, edhe vendet anëtare pa përjashtim kanë ekspertë të shumtë në numër dhe po aq, në mos dhe më të mirë teknikë se Komisioni Europian, sidomos kur vjen fjala për vendet e tyre. Kështu, një pjesë e madhe e zyrtarëve të tij dërgohen nga vendet anëtare, madje edhe nga vendi ynë, por me shtetësi europiane.

Ja pse Komisioni Europian me gjithë rëndësinë e madhe si propozuesi dhe rekomanduesi më i lartë kryesisht teknik, nuk ka “pronën” mbi të vërtetën dhe as fjalën e fundit për çeljen e negociatave. Ndaj dhe çdo tentativë për t’ia kundërvënë Komisionin Këshillit dhe anasjellas është joproduktive dhe e destinuar të dështojë.

Për pasojë, qeveria dhe instancat e saj nuk ka përse ta trajtojnë rekomandimin e Komisionit si trofe dhe si notë ekskluzive, por të nxjerrim mësime nga vitet e kaluara kur u tregonim me mburrje rekomandimin e Brukselit dhe disa vende anëtare me një farë xhelozie na e thanë qartë dhe prerë “E pastaj, po ne ç’jemi këtu? Pse burra/gra më të mirë janë ata të Komisionit dhe Parlamentit Europian?”. Natyrisht që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është i domosdoshëm, i rëndësishëm dhe vlerësim i çmuar për hapat dhe arritjet tona për plotësimin e kushteve dhe reformave të njohura. Ai përbën bazën fillestare të procesit, por aq. Sepse, ashtu siç e ka pohuar vite më parë edhe vetë ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, në këtë rast bëhet fjalë vetëm për Rekomandim, dmth., propozim teknik nga Brukseli, por ende jo vendim politik nga vendet anëtare. Mjafton të rikujtojmë se disa vite më parë Këshilli refuzoi në mënyrë të përsëritur propozimin e Komisionit për çeljen e negociatave me vendin tonë.

Një shkak tjetër i dëshmuar edhe nga praktika e deritanishme është se ndryshe nga Këshilli, Komisioni dhe konkretisht Komisioneri i Zgjerimit, por jo vetëm mund të kompromentohet ose shqip “të blihet” shumë më lehtë; gjithashtu duke qenë përkohësisht në atë funksion, komisionerët dhe drejtuesit e tjerë të lartë janë më shumë të interesuar për suksesin e karrierës së tyre, ndaj mundohen ta bëjnë “njërin sy qorr dhe një vesh shurdh” me justifikime nga më të ndryshmet.

Vendet anëtare e realizojnë kontrollin dhe vëzhgimin e procesit të negociatave nga si në kryeqytetet e tyre ashtu edhe në Bruksel. Më konkretisht, Ministritë e tyre të Jashtme kanë drejtori të përgjithshme me ekspertë të kualifikuar që drejtohen nga ministri i Shtetit për Europën dhe ai i Jashtëm, të cilat mbulojnë edhe vendet kandidate dhe Ballkanin Perëndimor. Parlamentet e tyre gjithashtu kanë drejtori përkatëse dhe të dërguar të posaçëm për zgjerimin europian. Po ashtu, atje kanë me dhjetëra institute kërkimore, think tanke me sektorë të specializuar për zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërsa në Bruksel, vendet anëtare kanë përfaqësitë e tyre diplomatike pranë BE-së me qindra diplomatë dhe ekspertë që ushqehen nga qendrat e tyre, por edhe i ushqejnë ato nga baza. Aty spikatin COWEB, dmth., Grupi i Ballkanit Perëndimor i përbërë nga këshilltarë të lartë diplomatikë; COELA ose Grupi i Punës që merret me Zgjerimin në përgjithësi dhe Vendet Aspirante, i përbërë po nga këshilltarë të tjerë të lartë diplomatikë dhe COREPER, Komiteti i Përhershëm i Përfaqësive Diplomatike të BE-së, i përbërë nga 27 Ambasadorët e vendeve anëtare pranë BE-së; pikërisht ky i fundit përgatit dhe u paraqet dosjet përkatëse ministrave të Jashtëm dhe kryetarëve të shtetit/qeverive të vendeve anëtare, të cilët mbi këtë bazë edhe i “vulosin”. Pa harruar edhe think tanket, institutet kërkimore dhe ekspertë të shumtë të pavarur. Kësisoj, vendet anëtare të BE-së kanë një rrjet të gjerë funksional informimi dhe përpunimi të informacionit, çka i ndihmon ta kenë situatën në pëllëmbë të dorës dhe që “na shkojnë në vrimë të gjilpërës” në çdo aspekt.

Nisur nga sa sipër, në procesin e mbylljes së grup-kapitujve të ndryshëm, do shmangur tendenca për ta pasur mirë dhe për ta rregulluar me një apo dy vende të mëdha, as vetëm nga Gjermania apo dhe Franca, sado të rëndësishme që janë, as vetëm nga 25 apo 26 vende anëtare. Kujdes se BEja nuk është klub apo asamble, ku vepron dhe sundon shumica, qoftë dhe dërmuese, ca më pak në dëm dhe kundër një pakice sado e vogël, por bashkim vendesh me vlera, ideale dhe parime të përbashkëta, por me interesa që nuk përputhen gjithnjë e në çdo rast! Ndaj për aspekte kardinale si zgjerimi, BE-ja të paktën në një të ardhme të afërt vepron në unanimitet dhe konsensus të plotë. Për më tepër, vendet anëtare që përfaqësojnë aspektin ndërqeveritar kanë marrë përparësi të dukshme ndaj atij aspektit “supranacional” të përfaqësuar nga Komisioni/Parlamenti Europian. Kjo pritje po forcohet edhe për shkak të populizmit dhe euroskepticizmit, që i kanë drejtuar sulmet e tyre nga Brukseli.

Për rrjedhojë, në përputhje me diversitetin karakteristik të përqasjeve të BE-së, ka vende që i njohin problemet tona, por mendojnë se duke çelur negociatat do të nxitet procesi i reformave dhe gjërat do të shkojnë më mirë; siç ka të tjera që me të drejtë pyesin përse nuk janë çuar deri në fund reformat, ndaj dhe këmbëngulin për realizimin e tyre përpara çdo etape avancimi në BE. Këtu qëndron dobësia, por dhe sekreti i funksionimit të BE-së.

Këtu është më rëndësi të theksojmë se pavarësisht nga skepticizmi apo dhe kundërshtimet e një apo edhe disa vendeve të BEsë ndaj nesh, nga ana jonë kërkohet etikë, durim dhe mirëkuptim. Të mos harrojmë se si vende partnere, do t’ua kemi nevojën për një kohë të gjatë dhe pas reformimit të brendshëm të BE-së; ndaj të shmangim çdo formë etiketimi, diversioni apo kundravënie të njërit kundër tjetrit dhe të mos bëhemi pjesë e deklarimeve, lojërave dhe përplasjeve të “të mëdhenjve”; ca më pak t’i japim mend BE-së për probleme madhore gjeopolitike. Ndaj, kujdes, se siç thuhet nga anët tona, “uthulla e fortë prish enën e vet”! Le ta mbyllim shkrimin me pohimin se Shqipëria nuk synon dhe nuk do të anëtarësohet në Komision, por në Bashkimin Europian!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit