Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ka bërë të ditur se administrata e SHBA-së po mbështetet te Kina për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit që vazhdon të pengojë lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit.
Kriza, e cila ka nisur pas përplasjes SHBA-Iran dhe vendosjes së një bllokade amerikane në portet iraniane, ka ndikuar jo vetëm në tregtinë ndërkombëtare, por edhe në eksportet kineze të naftës.
Rubio bëri deklaratën gjatë fluturimit nga Air Force One drejt Pekinit, ku po shoqëron Presidentin Donald Trump në vizitën e tij zyrtare, duke theksuar rëndësinë strategjike të Kinës si partner tregtar dhe politik i Teheranit.
“Shpresojmë t’i bindim ata të luajnë një rol më aktiv në ndalimin e asaj që Irani po bën dhe po përpiqet të bëjë në Gjirin Persik”, tha Rubio për Fox News. Ai shtoi se Kina ka arsye të forta për të dëshiruar që kriza të zgjidhet, pasi ekonomia e saj e orientuar drejt eksportit po ndikohet nga pasojat e bllokadës dhe reduktimi i kërkesës nga vendet e tjera për produktet kineze.









