Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka dënuar me forcë mënyrën se si autoritetet izraelite trajtuan aktivistët e flotiljes “Global Sumud”.
Reagimi i tij erdhi pas publikimit të një videoje ku aktivistët shfaqeshin të lidhur me zinxhirë dhe të detyruar të gjunjëzoheshin.
“Jam i indinjuar. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por nuk ka të drejtë të poshtërojë qytetarë të pambrojtur, që nuk kanë kryer asnjë akt dhune dhe nuk janë terroristë,” deklaroi Tajani për gazetën Avvenire.
Ai theksoi se ekziston një diferencë mes ruajtjes së një bllokade detare dhe cenimit të dinjitetit dhe sigurisë së njerëzve.
Qeveria italiane ka kërkuar shpjegime nga autoritetet izraelite, pas publikimit të videos nga ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, ku shihej duke u tallur me aktivistët.
Videoja tregon aktivistët të lidhur dhe të detyruar të gjunjëzohen pas ndalimit në ujërat ndërkombëtare, një veprim që Tajani e përshkroi si kalim të “vijës së kuqe”. Ministri italian paralajmëroi se incidente të tilla mund të rrisin izolimin ndërkombëtar të Izraelit, përfshirë edhe mes aleatëve më të ngushtë.









