Një dron rus ka goditur një bllok apartamentesh në qytetin Galați të Rumanisë, duke shkaktuar zjarr në katin e 10-të dhe duke lënë dy persona të plagosur. Ngjarja ka ndodhur pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë, në një zonë të ndjeshme të prekur nga pasojat e luftës.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e cilësoi incidentin si “më seriozin që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”, duke mbledhur menjëherë Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi ashpër ngjarjen, duke theksuar se “Rusia vazhdon të sulmojë civilët dhe infrastrukturën civile… NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj dhe të mbështesë Ukrainën kundër agresionit rus”.
Autoritetet ndërkombëtare e kanë cilësuar incidentin si një sinjal të rrezikshëm të zgjerimit të konfliktit dhe kanë paralajmëruar rritje të masave të sigurisë në krahun lindor të aleancës.









