Një burrë 52-vjeçar në Muscatine, Iowa, vrau gjashtë anëtarë të familjes së tij përpara se t’i jepte fund jetës, sipas policisë lokale. Hetuesit besojnë se incidenti ishte i lidhur me një mosmarrëveshje familjare, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme rreth shkakut të tragjedisë.
Sipas Departamentit të Policisë së Muscatine, të shtënat e përgjakshme ndodhën në mesditën e së hënës (ora lokale) në qytetin lindor të Iowës, i cili ndodhet në brigjet e lumit Misisipi, përballë shtetit të Illinois.
Oficerët që iu përgjigjën raportimeve për të shtëna me armë zjarri pak pas mesditës gjetën katër persona të vdekur nga plagët me armë zjarri brenda një banese. Personi që qëlloi ishte larguar para se të mbërrinin ata, por u identifikua shpejt si 52-vjeçari Ryan Willis McFarland, një banor vendas.
Oficerët më vonë e gjetën atë në një shteg buzë lumit në qytet, pranë një ure për këmbësorë. Shefi i policisë Anthony Keys tha se 52-vjeçari kreu vetëvrasje ndërsa oficerët po flisnin me të.
Viktima të tjera dolën në pah gjatë hetimit. Autoritetet më vonë gjetën dy burra të tjerë të vdekur, njërin në një banesë aty pranë dhe tjetrin në një biznes lokal.
Shefi i policisë tha se të gjitha viktimat besohet të jenë të afërm të autorit të sulmit. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura. Një stacion televiziv lokal raportoi se të paktën dy nga viktimat ishin fëmijë.
Anthony Keys tha gjithashtu se 52-vjeçari kishte një precedent penal, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Muscatine është një qytet me rreth 24,000 banorë dhe ndodhet rreth 155 milje në lindje të kryeqytetit të Ajovës, Des Moines.









