“Një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të krijojë kushtet për një arkitekturë të re sigurie në Lindjen e Mesme dhe të kontribuojë në stabilitet afatgjatë në rajon”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në një reagim të publikuar në rrjetin social X.
Macron theksoi se Franca mbështet përpjekjet diplomatike për arritjen e një kompromisi mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa shprehu gatishmërinë e Parisit për të ndihmuar në zbatimin e çdo marrëveshjeje që mund të arrihet.
Kreu i shtetit francez bëri të ditur gjithashtu se nisma ndërkombëtare e mbështetur nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerë të tjerë është e përgatitur të kontribuojë në garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas finalizimit të një marrëveshjeje mes palëve.









