Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur për tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke zbuluar detaje nga një telefonatë e zhvilluar mes presidentit Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe për zhvillimet e fundit në Liban.
Rubio tha se SHBA-të kishin informacione se Izraeli po shqyrtonte mundësinë e sulmeve në Bejrut, ndërsa u raportua një komunikim nga pala libaneze se Hezbollahu kishte sinjalizuar gatishmëri për të ndalur sulmet nëse Izraeli nuk godiste kryeqytetin libanez. “Fatkeqësisht, brenda një ose dy orësh nga ajo bisedë, ata lëshuan dy valë raketash kundër Izraelit,” deklaroi ai.
Rubio shtoi se situata mbetet e ndërlikuar dhe se SHBA shpreson për një bashkëpunim mes Libanit dhe Izraelit për të çarmatosur Hezbollahun dhe për të stabilizuar rajonin.









