Një i dënuar 47-vjeçar është gjetur i pajetë në ambientet e Qendrës Spitalore të Burgjeve, ku po trajtohej për probleme të shëndetit mendor.
Sipas autoriteteve, i ndjeri Fatmir Qoku ishte dënuar me 25 vite burg për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe vuante nga skizofrenia, për të cilën ishte trajtuar disa herë në institucionin shëndetësor të burgjeve.
Rreth orës 16:50 ai është konstatuar pa shenja jete në tualetin e dhomës së akomodimit, ndërsa dyshimet e para flasin për vetëvarje.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor dhe atij të sigurisë, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.









