Ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, me anë të një postimi në faqen e tij facebook ka reaguar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjës”, Enea Mekolli ditën e sotme gjatë një operacioni policor në Lozhan të Maliqit.
Sipas Nokës vrarësi i policit në Maliq bridhte i lirë falë mburojës politike.
Postimi i Nokës
Ngushëllime familjes dhe kolegëve të efektivit Enea Mekolli! Shpirti i tij u prehtë në paqe dhe i biri i mitur që la pas u bëftë 100 vjeç!
Nuk arrij të përfytyroj dot se kush i jep urdhër patrullës të arrestojë një kriminel me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë të rëndë penalë si ai?! Patrullat janë pa pajime, o njerëz! Lëvizin pa planifikim në territor. Për të tilla raste shërbejnë Forcat Speciale. Vrasësi bridhte i lirë falë mburojës politike që “e vishte” prej kontakteve politike me ata lart. Hetim i menjëhershëm i përgjegjësive!
Nuk do e kthejnë në jetë Enean, por do bëjnë drejtësi për uniformën që ai e lau me gjakun e tij.
Shërim të shpejtë efektivit të plagosur, Edison Adri!