Qyteti i Pogradecit do t’i japë sot lamtumirën e fundit efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” pas humbjes së jetës në krye të detyrës gjatë një operacioni policor në Lozhan të Maliqit.
Ndërkohë që detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i mëngjesit të djeshëm të policisë në momentin që ndërhyri për arrestimin e 43-vjeçarit Violand Braçellari, i cili plagosi edhe efektivin tjetër Edison Adri.
Hetimet zbuluan se konflikti me ligjin kishte nisur pak ditë më parë. Më 3 qershor, një çoban i punësuar në stallat e Braçellarit e kishte denoncuar 43-vjeçarin për kërcënim me jetë dhe mos pagesë.
Brenda banesës së të kërkuarit u sekuestrua arma kallashnikov. Ajo dyshohet se u përdor ndaj policisë, së bashku me një sasi të konsiderueshme municioni.
Po ashtu, janë gjetur pajisje të dyshimta, si radio-komunikimi të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit, dylbi dhe dronë, të cilët janë dërguar për ekspertizë për të zbardhur qëllimin e përdorimit të tyre.
Braçellari ishte një person me precedentë. Në vitin 2004 ishte larguar nga shërbimi ushtarak vetëm tri ditë pas rekrutimit, rast për të cilin ishte ndjekur penalisht. I dënuar me 10 vite burg per trafik droge.
Homazhet në nderim të 34-vjeçarit do të zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit nga ora 10:00 deri në 12:00, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë pritet të mblidhen për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.
Më pas, në orën 14:00, do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit në fshatin Blacë, vendlindja e tij.










