Policia Kufitare ka ndërhyrë në zonën e “Krorëzit” pasi ka konstatuar një mjet lundrues që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë në det, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin duke u larë.
Sipas autoriteteve, prania e mjetit në atë zonë përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.
Menjëherë pas konstatimit, drejtuesi i mjetit u ndalua dhe u procedua administrativisht. Ndaj tij u vendos gjobë prej 500.000 lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia e Shtetit bëri të ditur se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit, duke u bërë apel përdoruesve të mjeteve lundruese të mos shkelin zonat e ndaluara.









