-sidi education-spot_img
28.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

KE: Projekti në Zvërnec mund të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Kryesoret

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin se projekti i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë ndikime mjedisore që bien në kundërshtim me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Ditëve të fundit në Shqipëri janë mbajtur protesta kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka tërhequr vëmendjen se, në procesin e anëtarësimit në BE, si pjesë e standardeve përmbyllëse për negociimin e Kapitullit 27 mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përshtatet plotësisht me legjislacionin e bllokut evropian në këtë fushë.

Kjo, sipas tij, përfshin zbatimin e Direktivave për Shpendët dhe Habitatet, shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.

“Përveç kësaj, për të mbyllur Kapitullin 27, Shqipëria duhet të tregojë kapacitetin e saj për të menaxhuar vendet e ardhshme të Natura 2000 [v.j. rrjet për zonat e mbrojtura natyrore në BE], duke përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë përkeqësimin e habitateve dhe specieve. Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit Mercier për Radion Evropa e Lirë (REL).

Kapitulli 27 i negociatave të anëtarësimit me BE-në përfshin mjedisin dhe klimën. Ai promovon zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Ky kapitull bazohet në veprime parandaluese, parimin “ndotësi paguan”, luftimin e dëmeve mjedisore në burim, përgjegjësinë e përbashkët dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të BE-së.

Kapitulli 27 përfshin më shumë se 200 akte të rëndësishme ligjore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale dhe menaxhimin e rreziqeve, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht, zhurmën, pylltarinë si dhe ndryshimet klimatike.

Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe renditet e dyta në mesin e vendeve kandidate për sa i përket progresit drejt anëtarësimit.

Shtetet anëtare të BE-së miratuan në muajin maj raportin për Vlerësimin e Përmbushjes së Kritereve të Përkohshme në fushën e sundimit të ligjit, një hap i domosdoshëm për të avancuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve negociues./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit