Policia e Shtetit me anë të një postimi zyrtar në faqen e saj facebook, ka bërë një njoftim publik dhe thirrje ndaj qytetarëve të Kamzës lidhur me vrasjen e sotme të ndodhur në Paskuqan, ku 39 vjeçari Sadik Llani ka qëlluar për vdekje 27 vjeçarin Ardian Baloshi.
Policia u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes ndaj Llanit pasi është person i armatosur e i rrezikëshëm si dhe kush jep informacion të saktë për të, ka një shpërblim prej 10 mijë eurosh.
Sipas burimeve policore Llani ka qenë i arrestuar në vitin 2015 për trafikimin e lëndëve narkotike.
Policia e Tiranës:
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.









