Pasditja dhe mbrëmja e sotme do të bllokojnë qendrën e kryeqytetit. Protesta e 13-të do të zhvillohet prej orës 18:00, ku bëhet nisja në sheshin Skënderbej, ndërsa po pasditen e sotme Partia Socialiste do të zhvillojë aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit. Protestuesit kanë bërë thirrje për shmangien e tensioneve dhe përplasjeve. Policia e Tiranës ka marrë masat për dy aktivitetet.
Në vijim të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të detajuar masash për sigurimin e rendit dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen e sotme dhe në mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (tubimit) dhe në sheshin “Italia” (aktivitet i subjektit politik Partia Socialiste).
Në këtë kuadër, Policia e Tiranës njofton se nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve dhe tubimit, do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët:
- “Papa Gjon Pali II”;
- “Dervish Hima”;
- “Faik Konica”;
- “Lek Dukagjini”;
- “Gjergj Filipi”;
- “Hasim Zeneli”;
- “Themistokli Gërmenji”;
- “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.
Gjithashtu, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia e Tiranës apelon për mirëkuptimin e qytetarëve dhe këshillon përdorimin e akseve alternative të lëvizjes, si dhe respektimin e udhëzimeve të shërbimeve të Policisë në terren.









