Kryeministri Edi Rama, sot në Tiranë ka zhvilluar takimin me administratën publike me rastin e festës së themelimit të 35 vjetorit të Partisë Socialiste.
Fjala e Ramës
Të dashur themelues, përfaqësues të familjes sonë të madhe politike, të PS. Qëlloi që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj familjeje për Shqipërinë një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësues e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmjeje bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi të madh që do ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 mld euro në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 mld eurosh, vetëm ky investim është më shumë se 1 nga 7 e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë.
Edhe unë po të isha një qytetar, të informohesha nga rrjetet sociale, duke parë gjysmë të vërtetat të fryra dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi lagunë dhe Sazan, tabela “Kufiri i Izraelit”, do kisha dalë në bulevard i llahtarizuar nga ai apokalips. Befas krejt bota u zgjua si në një ankth dhe u bashkua për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër.









