Kreu i Grupit Paralamentar të PD-së, Gazment Bardhi, me anë të një postimi në faqen e tij facebook ka reaguar lidhur me goditjen e sotme të SPAK ndaj 2 grupeve kriminale me aktivitet të gjërë në fushën e narkotikëve dhe ndërtimit.
Deputeti demokrat ka kërkuar nga SPAK hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, si të përfshirë në afera me trafikantë droge dhe pastrim parash.
Postimi i Bardhit
Asnjë surprizë për aksionin e sotëm të SPAK-ut, që rezulton të jetë një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra nga ky organ.
Pa dyshim, përshëndes aktin e sotëm të Prokurorisë, të cilin e konsideroj të vonuar, dhe e nxis atë që të mos hezitojë të hetojë me profesionalizëm dhe guxim Edi Ramën dhe çdo zyrtar tjetër publik që i hapi rrugë pastrimit të parave të krimit në sektorin e ndërtimit. Edi Rama arriti deri aty sa të tentonte të përfshinte edhe familjen e Presidentit Trump në një aferë me trafikantë droge dhe pastrim parash.
Por, ky i sotmi është një akt i paralajmëruar nga opozita.
Prej kohësh tashmë, fenomeni i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit është denoncuar prej nesh. Madje, kemi ofruar edhe zgjidhje, të cilat janë përbuzur dhe refuzuar nga përgjegjësi i kësaj situate, Kryeministri Edi Rama. Çdo iniciativë ligjore për të parandaluar këtë fenomen, apo çdo kërkesë për llogaridhënie mbi këtë çështje, është refuzuar nga mazhoranca e Edi Ramës.
Në korrik 2023 është votuar kundër projektligjit të propozuar nga kolegia Jorida Tabaku, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, që të verifikohej ligjshmëria e parave që investoheshin në sektorin e ndërtimit.
Më 5 korrik 2023, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe më pas në seancë plenare, kam theksuar se: “Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan, në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë të gjelbër, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët realë, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik.”
Më 9 tetor 2025, kemi thirrur në interpelancë mbi këtë temë Kryeministrin Edi Rama, i cili u fsheh, siç fshihet çdo kriminel që shkel ligjin. Në atë seancë, ku Edi Rama u fsheh pas Niko Peleshit, kam denoncuar se: “Artur Shehut, trafikantit të drogës që organizoi takimin në Aruba me përfaqësuesit e qeverisë për të pastruar para në ndërtim, i është dhënë leje ndërtimi nga Edi Rama. Kompania e Artur Shehut ka marrë leje ndërtimi nga Kryeministri i vendit për të ndërtuar një kompleks në zonën e Lungomares, teksa ka përfituar edhe nga investimet publike.”.
Më 9 prill 2026, kemi rikërkuar në interpelancë Kryeministrin Edi Rama mbi konstatimin tronditës të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit: “Grupet kriminale shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta sofistikimi në krimet e tyre, në teknikat e komunikimit dhe në teknikat e pastrimit të parave. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion.”. Edhe në këtë rast, Edi Rama refuzoi të japë llogari dhe u fsheh pas Niko Peleshit.
Prandaj, sot nuk është dita për të bërë bilancin e arrestimeve të paralajmëruara, por për të kërkuar llogari se përse nuk hetohet përgjegjësi kryesor që e ktheu Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave përmes lejeve të ndërtimit. Sepse grupet kriminale nuk do të mundeshin kurrë të pastronin paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës pa firmën e Edi Ramës!
Kur do të hetohet roli dhe përgjegjësia e Edi Ramës për këtë?
Këtë përgjigje duhet ta japë SPAK-u, që aksioni të ketë vërtet sukses. Ndryshe, arrestohen disa grupe kriminale, por pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit vijon përmes disa grupeve të tjera kriminale. Dhe Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi narkoshtet në mes të Europës, ku grupet kriminale nuk goditen nga qeveria, por fuqizohen me leje ndërtimi, koncesione apo punë publike!
E në këtë rast, ka vetëm një zgjidhje: largimi i qeverisë përmes reagimit qytetar!









