-sidi education-spot_img
25.8 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tartar Bazaj: Një vendim i vështirë, por një emergjencë për ekzistencën e shtetit shqiptar!

Kryesoret

A bie ndesh me NATO-n dhe Kushtetutën ngritja urgjente e një Komitet të Mbrojtjes Kombëtare????

Ideja për krijimin e një Komiteti të Mbrojtjes Kombëtare në Shqipëri po ngre shumë debat sot nga analist, ushtarak, patriot etj: A është kjo një nevojë reale shtetërore, apo një devijim nga arkitektura kushtetuese dhe aleancat ndërkombëtare?

Në një kohë kur institucionet e sigurisë shqiptare shpesh perceptohen si të fragmentuara dhe reagimi ndaj krizave shpesh i ngadaltë, ose inekzistent, disa e shohin këtë ide si zgjidhje për të forcuar koordinimin shtetëror. Por pyetja themelore mbetet: A lejohet kjo në kuadrin ligjor dhe euroatlantik ku Shqipëria bën pjesë?

Së pari, në raport me NATO-n, Shqipëria si anëtare e NATO-s, nuk ka asnjë pengesë për të krijuar struktura të brendshme koordinuese të sigurisë. Aleanca nuk ndërhyn në organizimin e brendshëm institucional të shteteve anëtare, për sa kohë nuk cenohet zinxhiri i komandës ushtarake dhe detyrimet e mbrojtjes kolektive. Pra, në vetvete, ideja nuk është në kundërshtim me NATO-n.

Por problemi nuk është NATO-ja. Problemi është Kushtetuta e Shqipërisë.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti ushtron rolin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa siguria kombëtare funksionon mbi struktura të përcaktuara qartë, përfshirë edhe organet këshilluese ekzistuese si Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Kjo do të thotë se çdo strukturë e re nuk mund të krijojë një “Si qendër paralele vendimmarrjeje”, mbi ushtrinë apo mbi institucionet kushtetuese.

Dhe këtu lind rreziku real: Jo në emër, por në kompetencë.

Nëse një Komitet i Mbrojtjes Kombëtare mbetet një mekanizëm koordinues, analitik dhe këshillimor, ai mund të jetë i ligjshëm dhe madje i dobishëm në këtë situatë të rëndë ku jemi sot. Por nëse ai synon të zëvendësojë ose të anashkalojë institucionet ekzistuese, atëherë bie ndesh me parimet bazë të rendit kushtetues dhe ndarjes së pushteteve.

Në fund të fundit, ky nuk është një debat teorik apo teknik për emra institucionesh. Është një çështje që prek vetë funksionimin e shtetit në këto momente krize.

Sepse kur siguria kombëtare vihet në pikëpyetje, kur koordinimi institucional është i dobët dhe kur vendimmarrja shpesh vonohet, atëherë çdo boshllëk nuk mbetet neutral, ai kthehet në rrezik për ekzistencën kombëtare.

Prandaj pyetja nuk është më thjesht “ A na duhet një Komitet i Mbrojtjes Kombëtare?”, por diçka shumë më serioze:

Në këtë situatë të rëndë, a po përgatitet Shqipëria për një emergjencë të vërtetë kombëtare, apo po vazhdojmë të improvizojmë mbi struktura të paafta që nuk po e përballojnë dot kohën dhe nuk kanë guxim tu dalin zot detyrave për të cilat paguhen?

Sepse në sigurinë e një shteti, vonesa në vendimmarrje nuk është thjesht gabim administrativ, është dobësi strategjike me rrezik potencial për këtë komb. SHPRESOJ TË MIRËKUPTOHEM.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit