Mbrëmjen e djeshme, në urgjencën e spitalit të Korçës është paraqitur një 29-vjeçar nga Maliqi me dëmtime në trup, i cili dyshohet se është dhunuar nga policia greke rreth 13 ditë më parë në Kalkidhë.
Sipas deklarimeve të tij dhe informacioneve të konfirmuara nga policia, 29-vjeçari, i identifikuar si Maldin Maxhari, është shoqëruar dhe më pas dhunuar nga autoritetet greke pasi është ngatërruar fillimisht si i dyshuar për një vepër penale, por pas verifikimeve ka rezultuar i pafajshëm.
Ai ka bërë kallëzim në Greqi dhe më pas është dëbuar nga vendi, duke u kthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai është drejtuar në spitalin e Korçës, ku dyshohet se ka dëmtime në brinjë dhe shpretkë dhe po merr trajtim mjekësor.
Policia e juglindjes ka marrë deklarimet e tij dhe pritet të përcaktohen hapat e mëtejshëm procedurialë, duke qenë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë territorit shqiptar.
/5pyetjet.al









