Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak.
Gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione, ndërsa një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar.
Në një konferencë për media, Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të punojë në shërbimet postare në Serbi.
Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë në orët e para të mëngjesit, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme në Kosovë.
Gjatë kontrolleve, autoritetet thanë se kanë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.
Më herët, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.
Prokurori special Mir Morina tha se hetimet kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës në mungesë ndaj 21 personave në dhjetor të vitit të kaluar dhe se gjatë gjashtë muajve të fundit janë siguruar prova të reja që kanë mundësuar identifikimin e të arrestuarve.
Sipas tij, identifikimi i të dyshuarve është bërë përmes videoincizimeve dhe provave të tjera të siguruara gjatë hetimit, përfshirë materiale të publikuara më herët nga mediat në Kosovë dhe Serbi.
Morina tha se hetimet nuk janë përqendruar vetëm te ekzekutuesit e krimit, por edhe te organizatorët dhe urdhërdhënësit e tij.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet./ REL









