Edhe këtë të diel pritet të nis sërish në orën 18:00, protesta e radhës, në ditën e 15 të saj kundër Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Ndërkohë gjatë një interviste televizive aktori i njohur i skenës shqiptare, Bujar Asqeriu, ka përcjellë një mesazh të fortë në mbështetje të protestës që po zhvillohet prej dy javësh në Tiranë.
Mesazhi i plotë:
Jam këtu, të dashur miq, të dashur të rinj dhe të reja, në mbështetje absolute të protestës suaj paqësore, të dhimbshme, kurajoze, trimërore.
Migjeni do të thoshte: ‘Rini, rini, thuaja këngës më të bukur që di!’ Dhe ju po thurni dhe po këndoni këngën e lirisë. Ju po këndoni këngën e qëndresës. Ju po këndoni këngën e guximit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi. Ju do ta bëni Shqipërinë më të bukur, më të fortë dhe më të fuqishme në Ballkan dhe në Europë. Për këtë, ju përgëzoj dhe ju nderoj pamasë.
Shqipëria, të dashur miq, ndodhet në momente historike. Thonjtë e politikës gati po e shqyejnë dhe po e mbysin prej kaq vitesh. Retorikat e politikanëve shkojnë dhe vijnë pa zgjidhje, pa asnjë të ardhme. Të rinjtë po na largohen. Spiunët, patronazhistët kanë futur hundët kudo për të përçarë këtë popull, për ta armiqësuar me njëri-tjetrin. Kanë futur hashëmin nëpër familje, në shoqëri, kudo.
Jo, zotëri, ne jemi shqiptarë. Ne jemi shqiptarë dhe duhet të dalim siç keni dalë juve në mbrojtje të atdheut tonë. Këtë atdhe që Ismail Beu në 1912 na e la më të madh.
Por tradhtarët e Shqipërisë, që nuk kanë munguar asnjëherë, e kanë shitur, e kanë blerë dhe vazhdojnë ta shesin këtë tokë. Tokën e Arbërit. Gjakun e Skënderbeut, të trimave të Skënderbeut, të trimave shqiptarë.
Prandaj, qëndroni dhe mos u tutni. Mos u trembni, siç keni qëndruar, sepse fitorja është me ju. Ju përqafoj me shumë dashuri të gjithëve.
Media gjermane jehonë protestës kundër Ramës: Mijëra qytetarë i mblidhen para Kryeministrisë!









