Përfaqësuesi i Kishës Katolike, Frat Andreas Walterman i ka drejtuar një letër të hapur kreut të qeverisë Edi Rama duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit me ndotjen e lumit Fan, nga kompania e pasurimit të bakrit “BERALB” në Fushë-Arrëz.
Ai shprehet se “uji në lumin Fan është i vdekur” pasi është aq i ndotur sa nuk mund të përdoret as për vaditjen e tokave bujqësore, ndërsa shton se situata ka mbetur pothuajse e pandryshuar për rreth 18 vjet.
“Unë jam përfaqësues i kishës katolike dhe në zonën tonë jetojnë shumë besimtarë. Ata kanë probleme me vaditjen se kanë fshatrat poshtë Fushë Arrëzit dhe unë mendoj se është koha për të bërë diçka se nuk mund të punojnë ata që të prodhojnë bakrin mbi kurriz të njerëzve. Nuk vlerëson natyrën dhe natyrën e bukur të Shqipërisë”, tha Frat Andreas Walterman.
Një grup inspektorësh ka zhvilluar kontrolle në zonë dhe ka vendosur masa administrative ndaj kompanisë “BERALB” për ndotjen e konstatuar.









