Duke përjetuar momentet madhështore të protestës në mbi dy javët e fundit në Tiranë, në qarqe dhe te diaspora kudo në botë, krahas ndjenjave dhe emocioneve të shumta, sidomos ne që i kemi përjetuar atë periudhë, nuk mund të mos heqim disa paralele të hidhura me fund vitet ‘80.
Këto paralele janë befasim i pakëndshëm, mbasi menduam se në dhjetor 1990 e përmbysëm njëherë e mirë monizmin dhe kishin hyrë pa kthim prapa në pluralizmin demokratik; natyrisht e dinim se për shkak të kaluarës moniste do të ndeshnim sfida dhe vështirësi, por jo rishfaqjen e dukurive të shëmtuara të asaj epoke dhe ca më pak personalizimin absolut të institucioneve tona, duke e kthyer vendin nga Partia Shtet siç ishte deri në vitin 1990 në UniShtet dhe ca më keq akoma në Rama-Shtet.
Për t’i kuptuar më mirë këto paralele, më poshtë po bëjmë këtë trinom retrospektiv në Berlinin Lindor dhe Tiranë tetor/nëntor 1989 dhe në Tiranë në qershor 2026.
Gjatë gjithë vitit 1989, regjimi gjermanolindor i Honekerit nuk donte të dëgjonte paralajmërimet mbi shembjen e Murit të Berlinit. Edhe pse grushtin fatal atij ia kishte dhënë qysh më 12 qershor 1987, Presidenti Regan te Portat e Brandenburgut, tek e mbylli fjalimin me apelin monumental për Gorbaçovin, “…eja këtu dhe shembe këtë Mur”. Në fakt, shembja e Murit filloi dy vjet më vonë, më 19 gusht 1989, kur punonjësi hungarez i policisë, Arpad Bella hoqi trarin në pikën kufitare në Shopron dhe 600 gjermano-lindorë kaluan në Austri dhe në RFGJ.
Në vijim, në shtator 1989, 6.000 gjermanolindorë hynë në Ambasadën e RFGJ-së në Pragë dhe kërkonin azil në Perëndim. Në kulmin e tensionit, më 30 shtator, ministri legjendar i Jashtëm i asaj kohe, Hans Dietrich Genscher fluturoi nga Nju Jorku në Pragë, ku ishte në Asamblenë e Përgjithshme të OKBsë dhe nga ballkoni historik i Ambasadës së RFGJ-së i njoftoi, mes brohoritjeve pa fund se të nesërmen do të udhëtonin të lirë në RFGJ. Ndërkohë, opozita në RDGJ e organizuar te “Forumi i Hapur” kishte filluar “Të Hënat” e famshme të Protestave masive.
E megjithatë, Honekeri po i injoronte këto realitete, duke shpresuar “ta hidhte lumin” falë trupave sovjetike dhe atmosferës festive të 40-vjetorit të RDGJ-së. As nuk e kuptoi se Gorbaçovi shkoi në Berlin në ato festime më 7 tetor jo për ta mbështetur, por për ta hequr qafe Honekerin. Me naivitet të theksuar politik dhe arrogancë, Honekeri u betua në mitingun jubilar se, “…Socializmi do të marshojë fitimtar dhe se kufijtë gjermanë-gjermanë do të mbeten të mbyllur edhe në 50 dhe 100 vitet e ardhshme”.
Mirëpo vetëm 11 ditë më vonë, më 18 tetor, ai dha dorëheqjen në Plenumin e KQ të Partisë Komuniste të RDGJ-së. Për ironi të fatit, vetëm një javë përpara rënies së Murit, në Tiranë kishte ardhur zv.kryeministri gjermano-lindor Horst Zõle; në intervistat për ZP-në dhe televizionin tonë ai pohonte se në Berlin nuk kishte ndonjë gjë për t’u shqetësuar; mirëpo vetëm dy javë më vonë mbasi kthimit në Berlin, Zõlen dhe të tjerë i përjashtuan nga Byroja Politike, qeveria dhe ai pësoi fatin e Honekerit, në burg.
Po në Tiranë ç’po ndodhte ato ditë kur në Berlin po rrëzohej Muri dhe pas tij?
Nëse në Berlin ishte tetori festiv, në Tiranë po kremtohej Nëntori i Kuq, 48-vjetori i themelimit të PPSH-së, 72-vjetori i Revolucionit të Tetorit, 77-vjetori i Pavarësisë dhe sidomos jubileu i 45-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Kur udhëheqja komuniste shqiptare po “tregonte muskujt” me takime, mitingje, koncerte, plot bujë, flamurë dhe propagandë. Kësisoj, shembja e Murit famëkeq më 9 Nëntor 1989 dhe situatat e mëpastajme e kapën atë të papërgatitur, pa vullnetin e duhur dhe me mendimin se Shqipëria nuk kishte lidhje me Berlinin; se demek nuk ishim “as Lindje dhe as Perëndim”, por vendi i vetëm i vërtetë socialist në botë” dhe broçkulla të tjera! Ashtu si Honekeri në Tetor në Berlin, edhe në Tiranë Ramiz Alia betohej se “forca jonë është uniteti, rruga jonë socializmi”!
Gjithsesi, më vonë, dhe sidomos pas ekzekutimit të Çausheskut, kokat e Bllokut tonë sikur u kthjelluan dhe do thënë me keqardhje se me gjithë gafat dhe gabimet në menaxhimin e situatës, regjimi atëherë reagoi më mirë se pasardhësit e tij sot. Ramiz Alia bëri takime gjithandej, ndërmori hapa për anëtarësimin në OSBE, vendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të, BE-në, dhe vende të tjera; ndërkohë, u ndërmorën disa masa liberalizuese për çtensionimin e gjendjes.
Por, më mirë le t’i lemë pas vitet 1989/1990 dhe të kthehemi në Tiranë në këtë qershor 2026. Tejet e habitshme se ndonëse në një sistem demokratik, PS-ja dhe Edi Rama nuk po ngrihen dot as në nivelin e Honekerit dhe ca më pak të Ramiz Alisë, madje në disa aspekte, sidomos sa i takon vlerësimit dhe përballimit të protestës së tanishme, me sulme dhe akuza qesharake dhe kontradiktore, Rama është shumë më mbrapa byroistëve të atëhershëm në menaxhimin e kësaj krize.
Interesant është se në tetor-nëntor 1989, në Berlinin Lindor dhe në Tiranë festohej përkatësisht jubileu i krijimit të shtetit dhe i çlirimit të atdheut, ndërsa këtë qershor 2026 PS-ja orkestroi festimet për 35-vjetorin e themelimit. Në fakt, gjithë ajo maskaradë festive e mbyllura me turp në antimitingun e 12 qershorit u bë kryesisht për të shtrënguar radhët rreth Ramës pas telasheve që kulmuan me moslejimin e arrestimit të Ballukut dhe protestës, e cila tani kërkon “kokën” e tij.
Gjithsesi, protesta i la në hije festimet, duke vazhduar të denoncojë masivisht paudhësitë dhe dështimet e PS-së. E megjithatë, Edi Rama me të tijtë nuk duan të dëgjojnë kambanat e alarmit dhe oshtimat e fuqishme në protestën më të madhe, më gjithëpërfshirëse, më të gjatë, më qytetare dhe më paqësore mbarëshqiptare, pamjet e saj frymëzuese po bëjnë xhiron e botës, e përcjellë edhe nga rrjetet më të mëdha televizive të botës; kudo në Shqipëri dhe në botë po kërkohet me zë të lartë dorëheqja e Ramës dhe e gjithë kupolës së klasës sonë politike, që t’i çelet rruga ndryshimit epokal të sistemit dhe Shqipërisë së re.
Dhe prapë më keq se byroistët, Rama nuk do ta kuptojë se ashtu si ikja e dritave në Qytetin Studenti atëherë, flamingot dhe Zvërneci ishin vetëm sebepi, ama bindës dhe sensibilizues, si shkëndija që ndezi zjarrin e këtij revolucioni të madh paqësor. Ai nuk do ta kuptojë dhe kapërdijë faktin se kjo protestë është kthyer në podium, tribunë dhe zëdhënëse të fuqishme të dufit, mllefit, zhgënjimit, zemërimit dhe indinjatës së grumbulluar në 35 vitet e fundit për shkak të politikave të gabuara dhe të dështuara qeverisëse dhe mbi të gjitha korrupsionit galopant, ku Rama me PS-në kanë përgjegjësinë më të madhe, se kanë plot 13 vite radhazi në pushtet.
Këtë denoncim dhe distancim të prerë ndaj qeverisë e ka provokuar dhe shkaktuar edhe vetë Kryeministri Rama me politikat, skandalet, papërgjegjshmërinë dhe mosqeverisjen, të shoqëruara me arrogancën, prepotencën, karshillëkun, përbuzjen, përçmimin, sjelljen dhe qëndrimet e tij si sundues tipik, që bien ndesh me frymën dhe sjelljen politike të homologëve të vet europianë; shto këtu edhe fjalorin që nuk i shkon as njerëzve të rrugës, ai ka përdhosur në mënyrë të pandreqshme staturën dhe Zyrën e Kryeministrit të një vendi aspirant në BE/ 2030. Rama ka mbetur shumë prapa Honekerit dhe Alisë, edhe për faktin se këta të fundit të paktën i mblodhën forumet më të larta të Partisë dhe “me hir apo pahir” dhanë edhe dorëheqjen. Ndërsa Rama nuk e di pse nuk e mbledh as kryesinë, as asamblenë, as nuk bën ndonjë takim më Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.
Më tej, ai ia ka kaluar edhe diktatorëve të shkuar me lloj-lloj akuzash, shpifjesh dhe bullizmash ndaj protestuesve, influencuesve, medias vendase dhe asaj ndërkombëtare, opozitës, madje edhe ndaj Kosovës dhe Tetovës, deri atje sa t’i etiketojë “fashiste” dhe “budallallëqe ideologjike” frymën dhe kërkesat e protestuesve paqësorë. Me skenarë imagjinarë me “armiq të jashtëm” dhe teori konspiracioni. Pa dyshim që çdo diktator do ta kishte zili edhe shprehjen e tij që, “edhe sikur 500.000 vetë të dalin në protestë, projekti do të vijojë” apo “qentë le të lehin, karvani të eci përpara”. Edhe logoja e vjetme zgjedhore e PS-së “Me Edin dhe PS-në përpara” ngjan si dy pika uji me sloganin “Me Enverin dhe Partinë…”.
Më tej, Rama nuk po e kupton se si pasojë e kësaj sjelljeje politike, e dukurive të shëmtuara të njohura indinjuese në të gjitha fushat dhe valët e pandalshme të emigrimit gjatë 13 viteve të (mos)qeverisjes së tij, besimi dhe besueshmëria politike, morale dhe institucionale ndaj tij, faktorë përcaktues në demokraci janë përtokë!
Gjendja, kushtrimi dhe zemërimi planetar ndaj tij dëshmon qartë se 83 mandatet që ai i përmend si tapi prone dhe trofe fitoresh nuk janë produkt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; ato janë siguruar me hile, truke, presione, shitblerje votash dhe shumë parregullsi të tjera të njohura, të cilat i gjen edhe në raportet e BE-së. Se ja, kërkoni, por nuk do të gjeni një parti dhe një kryeministër tjetër perëndimor që në mandatin e tretë e më tej të vjel(l)ë më shumë vota se në të parin si Rama!
Kjo nuk ka ndodhur as me legjendat e politikës gjermane/europiane, Adenauer, Kohl dhe Merkel, sepse pushteti i konsumon politikanët sado të mëdhenj! Ja pse, qysh në vitin 2019, duke parë konsumimin e saj pas 14 vitesh në pushtet, edhe pse në Berlin mosbesimi ndaj saj nuk kishte arritur fare në këtë pikë vlimi si tani në Tiranë, Kancelarja Merkel i doli së keqes përpara. Ajo u dorëhoq si lidere e CDU-së dhe njoftoi qysh atë vit se nuk do të kandidonte si Kancelare në zgjedhjet e vitit 2021. Kjo ndikoi në qetësimin e gjendjes, ia shtoi kredencialet vetë Merkelit dhe shpëtoi CDU-në. Ndërsa Rama nuk “ka as këllqet” e Honekerit e jo më të Merkelit.
E keqja tjetër e madhe është se në vend të përballimit të situatës si shtetar, Rama nuk po lë gur pa lëvizur me lloj-lloj marifetesh të krijojë një mikrorealitet tjetër brenda sallave të mbyllura me patronazhistë, të cilët gjithsesi, siç e tregoi edhe antimitingu mortor i 12 qershorit janë një pikë e vogël në oqeanin e protestës!
Edhe pse kjo megaprotestë po tund vendin dhe botën mu aty poshtë zyrës së vet, Rama nuk do të besojë se e vërteta është te sheshet në Tiranë, në qytetet e tjera dhe në metropolet e shumta botërore, te ata dhjetëra e qindra mijëra protestues me narrativa ulëritëse dhe tronditëse, dhe jo te realitetet e tij fantomë dhe imagjinarë. Për turpin e tij, me dhjetëra turistë të huaj në Tiranë dhe gjetkë po e përgënjeshtrojnë Ramën qysh tani edhe me nota humori aty në tribunën e protestës dhe në media se demek protesta po rrezikon rezervimet turistike! As në verën e vitit 1989/ 1990 nuk kemi dëgjuar të tilla broçkulla! Përkundrazi, falë qytetarisë së qindra mijëra protestuesve do të kemi flukse më të mëdha të huajsh, duke përfshirë edhe turizmin e protestës, rrjedhojë e imazhit tonë të mrekullueshëm që protestuesit kanë stamposur me qytetarinë e tyre unikale.
Ndaj, ka ardhur koha që kryeministri kundrapedalist t’i dëgjojë zërat që po buçasin gjithandej; ndryshe, ku ta gjejë fatin e Honekerit dhe ca më pak të Ramiz Alisë! Se menaxhimi i protestës do të përcaktojë fatin ose edhe fundin politik të Edi Ramës. Së fundi, shqetësimi tjetër i madh është se edhe PS-ja jonë, ku autori i këtyre radhëve ka milituar qysh më 12 qershor 1991 dhe si i zgjedhur në forumet e saj në vitet 90 nuk po ndihet fare; në vend që të mblidhet, të diskutojë dhe të distancohet sa më shpejt nga lideri i saj! Se edhe ajo është prapa paraardhëses së saj në fundvitet ‘80, edhe pse gjendja e kësaj të fundit ishte shumë më e vështirë se e PS-së sot; i duhet vetëm guxim dhe vullnet politik! Ky do të ishte shërbim i madh për anëtarët, zgjedhësit, vendin dhe vetë mbijetesën e saj politike.









