Ditët e fundit na erdhën disa sinjale dhe lajme inkurajuese për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Gjithsesi, ngjarja më e rëndësishme për ne ishte miratimi më 22 maj i Raportit mbi Vlerësimin e Piketave të Ndërmjetme të Komisionit Europian (IBAR); duke mbyllur paraprakisht më 26 maj grup-kapitullin “Themeloret”, më i rëndësishmi dhe vendimtari i të gjashtë grup-kapitujve të negociatave të anëtarësimit tonë në BE.
Kësisoj, u çelet rruga mbylljes së pesë grup-kapitujve të tjerë, duke e mbajtur hapur objektivin madhor të përfundimit të tyre brenda vitit 2027 dhe anëtarësimit në BE brenda vitit 2030. Por, në një plan më të gjerë rajonal, pas paketës me 6 propozime të ministrit të Jashtëm gjerman, Johann Wadephul dhe propozimeve të ministrave të Jashtëm të pesë vendeve ish-lindore, më 20 maj Kancelari gjerman Friedrich Merz i dërgoi një letër të gjatë me rekomandime akoma më konkrete për reformimin e brendshëm dhe zgjerimin e BE-së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa dhe liderëve të tjerë të BE-së. Pa hyrë tek Ukraina, për të cilën Merz propozon dhënien e statusit “anëtar i asociuar”, çka në fakt krijon probleme dhe vështirësi institucionale, mbasi mungon korniza e duhur ligjore e BE-së, për vendet e Ballkanit Perëndimor në të tria këto propozime rekomandohet integrimi fazor ose shkallë-shkallë drejt anëtarësimit në BE. Ideja themelore këtu është njohja e reformave në sektorë të ndryshëm dhe shpërblimi i vendeve aspirante me përfitime të ndryshme fondesh, sidomos një akses më i shpejtë dhe më i madh në tregun e përbashkët të BE-së; po ashtu, shtimi i pranisë së tyre me statusin e vëzhguesit në Këshillin dhe Parlamentin Europian, etj.
Këto dhe të tjera masa tashmë të njohura konsiderohen si hapa të ndërmjetëm për t’i inkurajuar vendet kandidate në intensifikimin e reformave, që anëtarësimi në BE të mos jetë “rrugë e shkurtër”, por me merita individuale. Këtu ia vlen të nënvizojmë se propozime të tilla të ngjashme janë sugjeruar disa vite më parë nga një grup ekspertësh të shquar të BEsë mbi bazën e kërkesës së kësaj të fundit; madje ato janë miratuar në parim edhe në Samitin e BE-së në dhjetor 2023. Po ashtu, ato janë shtjelluar dhe përditësuar edhe në një studim të realizuar në muajin prill nga fondacioni prestigjioz gjerman “Shkenca dhe Politika”, mbi të cilin janë mbështetur si Wadephul ashtu edhe Kancelari Merz. Ja pse, siç shprehet Barbara Lipert, drejtore e Studimeve në këtë fondacion, e cila ka mbi 35 vite që merret me kërkime dhe botime kushtuar integrimit europian dhe Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të propozimit kundrathënës për Ukrainën, kjo paketë propozimesh tingëllon “si një këngë/avaz i vjetër, por me melodi të re dhe ndonjë instrument më shumë në orkestrën e integrimit”. Po atëherë, përse këto vende e sidomos Gjermania dalin me rekomandime të tilla? Kjo së pari për të konfirmuar impenjimin e diplomacisë gjermane për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin drejt BE-së. Kohët e fundit diplomacia gjermane është kritikuar për pasivitet në këtë fushë, përfshirë heshtjen për Procesin e Berlinit dhe heqjen e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Shkaku tjetër madhor lidhet me faktin se Berlini, që bashkë me Parisin janë liderë në BE po i shohin akoma më qartë pasojat, ndaj po kërkojnë të gjitha rrugët dhe mënyrat për ngushtuar hendeqet e shumta dhe të mëdha midis tre aktorëve dhe faktorëve të mëposhtëm madhorë: deficiteve dhe nevojës ulëritëse të BE-së për reformimin e saj të brendshëm, që të ketë mundësinë nesër ose pasnesër të akomodojë 35 apo 37 vende anëtare, kur sot me 27 po has në shumë vështirësi; nevoja e madhe për përparim cilësor të vendeve kandidate me reformat me qëllim të përshpejtimit të anëtarësimit të tyre në BE, ama kryesisht me meritë dhe reforma dhe jo vetëm për hatër të gjeopolitikës dhe të gjitha këto në kushtet e një trysnie të shtuar nga Rusia dhe luftës hibride që ajo zhvillon kudo, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor; që këto të fundit, duke mos parë ende dritën e zgjerimit në fund të tunelit europian, të mos rrëshqasin drejt Moskës. Ndërkohë, pa këto bonuse dhe masa motivuese dhe përshpejtuese, koha në dispozicion për të gjithë, për BE-në dhe vendet kandidate është e pamjaftueshme për të zgjidhur këto tri sfida serioze, për të mbushur hendeqet e mësipërme dhe për të kapërcyer blloqet e shumta penguese. Le ta shohim më nga afër situatën.
Lidhur me aktorin/faktorin e parë, dihet se ishte agresioni rus kundër Ukrainës dhe rreziqet e tij për rajonin që e detyruan BE-në t’i rikthehej tematikës së zgjerimit, të cilin ajo e kishte lënë mënjanë për shkak të lodhjes deri në alergji në vendet e BEsë dhe të mungesës së rezultateve nga vendet kandidate. Pa dyshim që kërcënimi rus vazhdon të zërë një pjesë të madhe të diskursit politik europian. Ai është real, serioz dhe kërkon masa konkrete. Por, problemi është që duke u përpjekur të shmang rrezikun nga jashtë, BE mund të harrojë apo nënvleftësojë atë që po ndodh brenda saj. Mirëpo, argumenti mbi sigurinë nga rreziku rus si motiv për të përshpejtuar ritmet e zgjerimit ka pikëpyetjet e veta. Sepse zgjerimi i mëtejshëm pa krijuar kapacitete të mjaftueshme integruese mund të prodhojë efektin e kundërt, duke dhënë imazhin e një BE-je më të madhe, por më pak koherente, më pak efikase, më pak të bashkuar; më ambicioze në dukje, por më të dobët në realitet. Po ashtu, nuk do tepruar me rrezikun rus. Se siç tregon përvoja më e fundit e BE-së, ka edhe vende anëtare që janë prekur dhe ndikuar nga ky “virus”.
Ndërsa kur vjen puna te garancitë e sigurisë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë vite që janë anëtarë të NATO-s, ndaj nuk kanë nevojë për “ombrellë” tjetër mbrojtëse europiane. Ndërsa Serbia dhe Bosnja janë më pranë Rusisë; ato janë kundër sanksioneve të BE-së dhe as nuk kanë ndërmend të hyjnë në NATO. Ja pse, gjeopolitika, rreziku rus dhe çdo rrezik tjetër nga jashtë është anësor; ai ndihmon dhe lehtëson, por nuk e përcakton përshpejtimin e këtij procesi historik. Problemi dhe pengesa e tretë ka të bëjë me shqetësimin real se sidomos në 20 vitet e fundit BE-ja është zgjeruar ndjeshëm, por pa realizuar, madje as nuk ka filluar reformat e saj të brendshme. Natyrisht jo se nuk ka dashur, por për shkak të axhendave të saj të tejngarkuara – krizat bankare dhe financiare, gati falimentin e Greqisë, terrorizmin ndërkombëtar, COVID– 19, agresioni rus kundër Ukrainës dhe në dy vitet e fundit riardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë e Presidentit Trump. Ndërkaq, vazhdimi i dinamikës zgjeruese drejt lindjes shtron një pyetje të madhe, gjithnjë e më të vështirë për t’i dhënë përgjigje – edhe sa duhet të presë ende BE-ja për këto reforma të brendshme, por pa i dobësuar akoma më shumë pozitat e saj? Themi kështu sepse edhe tani që ka 27 vende, ekuilibrat funksionues në BE janë dobësuar ndjeshëm.
Mekanizmat e vendimmarrjes së saj janë të gjata, të ndërlikuara, kompromiset komplekse, uniteti shpesh i vështirë për t’u realizuar, sidomos për çështjet e politikës së jashtme dhe qeverisjes ekonomike. Dhe kjo në një kohë kur prej BE-së kërkohen kudo vendime dhe veprime shumë më të shpejta, që ajo të mos mbetet spektatore, por të kthehet në aktore madhore. Mirëpo pa këto reforma të brendshme, zgjerimi i BE-së vetëm se do ta theksonte dhe vështirësonte akoma më shumë heterogjenitetin brenda saj, duke cenuar seriozisht kohezionin aq të nevojshëm institucional në kushtet e sotme të ngatërruara gjeopolitike. Natyrisht këtu nuk bëhet fjalë për ta kundërshtuar si prirje dhe realitet, por për kujdes shumë më të madh lidhur me zgjerimin. Veç sa sipër, kjo edhe për shkak të dallimeve të mëdha që vendet kandidate kanë nga njëritjetri dhe sidomos me ato të BE-së në terma ekonomikë, socialë, institucionalë dhe gjeopolitikë. Ndaj, nëse zgjerimi i ardhshëm nuk do të mbështetet dhe nuk do të shoqërohet me forcimin institucional të BE-së me reformat përkatëse, atëherë në ven që t’i ngushtojë hendeqet ekzistuese, zgjerimi në fjalë do t’i theksojë ato edhe më shumë. Lidhur me këtë aspekt, Carl-Alexandre Robyn, themelues i Lëvizjes të së Djathtës Moderniste (MDM) paralajmëron me shqetësim se BE-ja mund të mos jetë në gjendje “ta përtypë dhe ta tresë” zgjerimin.
Ca më tepër kur historia e saj dëshmon se kërcënimet e jashtme, me gjithë rreziqet, tentojnë edhe ta forcojnë solidaritetin e brendshëm. Ndërsa krizat e brendshme shpesh janë më gërryese se të jashtmet. Këto të fundit fragmentojnë, dobësojnë dhe përfundimisht e thyejnë apo i sjellin BE-së dëme që nuk ia bëjnë dot as kërcënimet nga jashtë. Ja pse BE-ja tani ndodhet përballë një dileme hamletiane. A të vijojë të zgjerohet më tej drejt Ballkanit dhe Ukrainës ende në luftë pa forcuar themelet politike nga brenda? Mirëpo, nëse vazhdon në këtë linjë, a mos rrezikon më shumë t’i trashë problemet se sa t’i zgjidhë ato, sepse “ kafshata e zgjerimit do të jetë aq e madhe, sa ajo nuk do të jetë në gjendje ta përtypë më, le më pastaj ta kapërdijë atë”. Ndaj disa ekspertë thonë se problemi për BE-në nuk është agresioni nga jashtë, por indixhestioni (mostretja) nga brenda! Ndërkohë, duke iu rikthyer propozimeve të lartpërmendura të Kancelarit Merz për “zgjidhje krijuese” do theksuar se BE-ja nuk po e fillon këtë nga hiçi; vitet e fundit ajo ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm drejt nxitjes dhe afrimit të Ballkanit Perëndimor në BE në aspektin politik, diplomatik, ekonomik, financiar e institucional. Kështu, ka mbi 4 vjet që vendet e rajonit janë të pranishme në samitet e Komunitetit Politik Europian; dy herë në vit ata marrin pjesë në samitet e BE-së; po ashtu dy herë në vit organizohen në vendet rajonit samitet BE-Ballkani Perëndimor. Samiti i radhës do të jetë më 5 qershor në Tivar.
Në pikëpamje ekonomike, spikat projekti për krijimin e tregut të përbashkët rajonal dhe sidomos Programi i Rritjes Ekonomike, që është në zbatim dhe ndihma të tjera të para anëtarësimit në shumë fusha, përfshirë dixhitalizimin, sigurinë dhe mbrojtjen. Më tej, nisur nga problematikat që kanë vendet tona për shtetin e të drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, ka pasur edhe mendime që ashtu si me Rumaninë dhe Bullgarinë, vendeve kandidate t’u lihet një periudhë pas anëtarësimit ose post-kushtëzimi, për të bërë plotësimet e nevojshme ligjore dhe zbatimin e tyre. Mirëpo, për shkak të përvojës negative me dy vendet e lartpërmendura, kjo ide nuk “ngjit”, ca më pak të gjejë jehonë dhe entuziazëm te vendet anëtare dhe te Komisioni Europian, sepse do ta kenë tejet të vështirë të bëjnë vëzhgimin dhe monitorimin e përparimit pas anëtarësimit të tyre, ndërsa vendet kandidate nuk do të shqetësohen më për të, me lloj-lloj justifikimesh, të cilave ata ua kanë marrë dorën. Plus, BE-ja do ketë agjenda me plot sfida të tjera, ndaj nuk do të ketë as kohën dhe as durimin për të monitoruar postkushtëzueshmërinë në vendet tona.
Aspekti i fundit, por jo më pak i rëndësishmi është se këto ide dhe propozime janë në nivelin e diskutimit në parim. Dhe do të duhet kohë për një vendim konkret. Ky problem do të diskutohet fillimisht në qershor në Samitin e BE-së në Qipro dhe do të vijojë nuk dihet për sa kohë deri në arritjen e konsensusit të nevojshëm. Vetëm atëherë, Komisioni Europian do të ngarkohet për të nxjerrë aktet/nënaktet ligjore për zbatimin e tyre.
Gjithsesi, edhe kur propozimet e lartpërmendura të vihen në zbatim, prapë përparimi drejt anëtarësimit nuk do të bëhet aforfe, por duke kërkuar nga vendet kandidate zbatimin “një për një” të kritereve të njohura të Kopenhagenit të vitit 1993; ndërsa për Shqipërinë edhe “ detyrat e reja dhe të shumta të shtëpisë” që u lënë më 26 maj në Bruksel, me theks të veçantë te shteti i të drejtës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, krimit dhe korrupsionit. Pikërisht këtu mund të na “hasë sharra në gozhdë” mbasi sidomos Kapitujt 23/24 që për Brukselin janë “thelbi” demokratik, për Tiranën janë “Thembra e Akilit”! Se aty janë problemet/pengesat më të mëdha, të cilat në vend që të zbuteshin dhe pakësoheshin, ato janë shtuar e janë bërë më të mprehta me dosjet e njohura ulëritëse për BE-në. Në përfundim, sido që të vijë puna, kryesore dhe vendimtare për ne mbeten merita falë realizimit të reformave, që të realizojmë një anëtarësim të shpejtë, të plotë dhe dinjitoz në BE. Ndryshe, në mungesë të tyre, gjithçka tjetër do të jetë “pesë me hiç”!









