-sidi education-spot_img
25.2 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Adri Nurellari: Pas tre javë kërkimesh intensive, u zbulua armiku i madh prapa Revolucionit të Flamingove

Kryesoret

Pas tre javë kërkimesh intensive, më në fund u zbulua armiku i madh prapa Revolucionit të Flamingove.

Armiku doli të ishte… një ish-luftëtar i UÇK-së që foli si një nga qindëra zërat e larmishëm që janë shprehur në emrin e protestuesve duke marrë mikrofonin aty.

Pasi mbaruan grekët, rusët, iranianët, marksistët-antikapitalist,  sorosistët, influencerët, zbarkimet diversante nga Kosova dhe Tetova si dhe Algoritmi.

Akuza? Në një vend që konsiderohet demokratik e pluralist, ka kritikuar nëpër media politika të Izraelit dhe ndërhyrjet amerikane në Lindjen e Mesme.

Pra, sipas këtij standardi, në listën e të dyshuarve si zëdhënës të Teheranit futet gjysma e botës, pothuaj tërë BE-ja, një pjesë e Kongresit amerikan, disa ish-presidentë amerikanë dhe me gjasa edhe vetë establishmenti amerikan duke përfshirë këtu zv presidentin JD Vance që ka qenë kundër ndërhyrjes.

Me këtë logjikë, armiku nuk është ai që thotë diçka të gabuar e dashakeqje; armiku është ai që nuk bie dakord me ty, që del nga vija e partisë-shtet ose që kur del si ekspert në media ka një mendim alternativ e jopopullor.

Të paktën Ramiz Alia, kur denonconte protestat studentore të vitit 1990, e kishte repertorin relativisht të kufizuar me CIA-n, UDB-në “reaksionin e brendshëm të klasave të përmbysura”. Ishte më modest në imagjinatë ndërsa skenaristët sot po japin maksimumin, duhet pranuar.

Personalisht kam qenë në panele me Goxhajn dhe madje kemi mbajtur qëndrime krejtësisht të kundërta për shumë çështje. Por, pavarësisht mospajtimeve, është turp që vetë Kryeministri i vendit të dalë dhe të linçojë personalisht publikisht një qytetar vetëm sepse ka mendime të ndryshme që i shpreh haptazi.

Nëse vërtet ekzistojnë prova për subversion, infiltrime apo ndikime nga vende armiqësore si Irani apo kushdo tjetër, atëherë për këtë ekzistojnë institucionet e sigurisë, shërbimet informative, prokuroria dhe gjykatat. Nuk është detyrë e Kryeministrit të zhvillojë gjyqe publike në rrjetet sociale e aq më pak nuk ka hije për atë post harbutllëku duke i quajtur protestuesit derra

Mirëpo pak e vështirë që të kenë baza akuzat për tradhëti të lartë për Dritan Goxhaj që ka qenë ndërlidhës e shoqërues i shërbimeve e trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë  ndërsa i ati ishte zv/ shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Përndryshe, kjo të kujton një praktikë të vjetër, ku dikur regjimi enverist i shpallte armiqtë nëpër kinema e sheshe, me altoparlantë që buçisnin propagandë. Sot mjeti ka ndryshuar, por logjika mbetet e njëjtë, në vend të provave kemi insinuata; në vend të institucioneve kemi turmat e rrjeteve sociale, dhe në vend të drejtësisë po vepron damkosja publike.

Mirëpo, sa më e gjatë bëhet lista e komplotistëve, aq më e dukshme bëhet mungesa e argumenteve për pyetjet konkrete që shtrojnë protestuesit. Po ashtu edhe më i madh shpaloset dëshpërimi për të shmangur përgjegjësinë dhe llogaridhënien ndaj publikut për çështje si keq-qeverisja, abuzimit dhe arroganca e pushtetit, korrupsioni dhe kriminalizimi në nivelet më të larta, standardet e dyfishta të zbatimit të ligjit dhe punës së institucioneve si dhe faktin që pasuria kombëtare transferohet në duart e disa oborrtarëve të pushtetit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit