Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në aksin Lezhë–Mabë, ku një përplasje mes një kamioni dhe një automjeti ka përfunduar me një viktimë dhe dy të plagosur.
Sipas Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, kur një kamion i drejtuar nga shtetasi A. M. është përplasur me një automjet që drejtohej nga shtetasi kosovar K. B.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i automjetit, K. B., ka humbur jetën në vendngjarje. Dy pasagjerët, motra e tij F. B. dhe djali i tij me të njëjtat iniciale F. B., janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.









