Teksa Uashingtoni dhe Teherani po testojnë kufijtë e marrëveshjes së brishtë të mirëkuptimit, diplomacia përreth Iranit është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar – dhe gjithnjë e më indirekte. Ato që fillimisht pritej të ishin bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran në Doha, janë shndërruar në diplomaci fluturuese përmes Katarit, teksa tensionet në Gjirin Persik janë jashtëzakonisht të larta.
Për të analizuar zhvillimet e fundit, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Marc J. Sievers, ish-diplomat amerikan me bazë në Abu Dabi i cili ka shërbyer në mbarë Lindjen e Mesme, përfshirë edhe si ambasador i SHBA-së në Oman, zëvendësshef i misionit në Kajro dhe ka mbajtur poste të larta diplomatike në Bagdad, Tel Aviv dhe Riad.
Radio Evropa e Lirë: Ajo që fillimisht u paraqit si mundësi për bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran në Doha, tani duket të jetë shndërruar në bisedime indirekte, diplomaci e ndërmjetësuar nga Katari. Çfarë ju tregon kjo për brishtësinë e procesit?
Marc Sievers: Pashë një deklaratë të një zëdhënësi iranian që thoshte se nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta. Kjo më duket disi befasuese, por nuk mund ta konfirmoj saktësisht se si do të funksionojë kjo. Nuk më duket se ia vlen të dërgohen negociatorët amerikanë në Doha nëse ata nuk do të bisedojnë drejtpërdrejt me iranianët. Por, sërish kjo është një çështje që i takon Shtëpisë së Bardhë.
Kjo nuk flet mirë për gjendjen e memorandumit të mirëkuptimit në këtë fazë, veçanërisht pas shkëmbimit të zjarrit në Gjirin Persik, sulmeve iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe reagimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Pra, në aspektin diplomatik është një situatë shumë delikate.
Nëse amerikanët janë në një dhomë dhe iranianët në një tjetër, teksa Katari ndërmjetëson duke përcjellë mesazhet mes tyre, a tregon kjo se të dyja palët ende duan uljen e tensioneve, por pa marrë rrezikun politik të një angazhimi të drejtpërdrejtë?
Është e vështirë për mua të kuptoj se çfarë dëshirojnë iranianët, sepse duket se regjimi aktual është i ndarë në dy qendra vendimmarrjeje. Udhëheqja politike duket se dëshiron të arrijë një marrëveshje, por nuk është aspak e qartë për mua se të njëjtin qëndrim e ka edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
Sepse, nëse edhe ata do ta donin një marrëveshje, pse do të dërgonin dronë sulmues kundër anijeve? Edhe nëse synojnë të tregojnë se ende kanë njëfarë kontrolli, kjo bie ndesh me zotimet që kanë marrë negociatorët e tyre. Prandaj, në këtë moment është disi e vështirë të kuptohet se çfarë dëshiron në të vërtetë Irani.
Nëse nuk ka bisedime ballë për ballë, si do të dukej një sukses në këtë proces? A është qëllimi thjesht të parandalohet një përshkallëzim i ri ushtarak në Gjirin Persik?
Mendoj se suksesi do të thotë arritja e një mirëkuptimi – para së gjithash për Ngushticën e Hormuzit – sepse kjo është dashur të arrihet kur u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit, dhe është e qartë se ai nuk ka hyrë në fuqi në mënyrën si palët u pajtuan.
Ka gjithashtu dallime lidhur me Libanin. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në Uashington ndërmjet delegacioneve izraelite dhe libaneze, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, ishte një arritje e madhe. Por, iranianët e kundërshtojnë atë dhe thonë se bie ndesh me mirëkuptimin që ata kanë me Shtetet e Bashkuara, gjë që nuk është qëndrimi i SHBA-së./ REL









