Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së fundit, duke dënuar dhunën dhe duke theksuar se demokracia ndërtohet përmes dialogut, përgjegjësisë dhe angazhimit qytetar.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ai bëri thirrje për maturi dhe për një vizion të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Reagim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha në X:
Nga flamingot te arkivoli.
Nga mbrojtja e mjedisit te gjyqi publik.
Nga shqetësimi qytetar te papërgjegjshmëria.
Nga protesta paqësore te dhuna.
Nga vizioni për një Shqipëri të Re te rikthimi i një Shqipërie déjà vu – të vjetër, të kapërcyer dhe të papranueshme.
Quo vadis?
Demokracia, liria dhe të drejtat nuk janë të dhëna.
Ato janë fituar me mund, sakrifica dhe përgjegjësi. Janë fryt i dialogut, jo i intimidimit; i urtësisë dhe pjekurisë shoqërore, jo i imponimit.
#Shqipëria2030, ajo që ëndërronim e që duam, anëtare e Bashkimit Evropian, më e zhvilluara ndonjëherë, më demokratike dhe më e arritura në historinë e saj, mund dhe do të ndërtohet vetëm me punë, vizion dhe përkushtim.
Me rininë, me atë që sheh vetëm përpara, për të ndërtuar, sepse kemi ende shumë për të bërë”









