Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka folur për protestën kundër qeverisë që po zhvillohet prej rreth një muaji, duke vënë në dukje ndryshimet që, sipas tij, ajo ka pësuar gjatë kësaj kohe.
Sipas tij, protesta ka kaluar nga përdorimi i simboleve të ndryshme deri te mesazhe më të forta në shesh.
“Protesta në 36 ditë ka pësuar një transformim. Nisi me simbolet e flamingove, ndërkohë pas 6 ditësh u shfaq një arkivol. Ky është një rrugëtim interesant për mesazhet që vetë protesta do të japë”, u shpreh Demo.
Ai shtoi se qeveria po shqyrton kërkesat që i konsideron të rëndësishme dhe pjesë të prioriteteve, ndërsa theksoi se disa prej tyre janë ngritur më herët edhe nga një grup politik.
“Protesta në vetvete është një shprehje e demokracisë. Është një aktivitet normal në një vend normal”, deklaroi ministri.









