Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur sipas tyre “nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj gazetarit Klevin Muka, përmes publikimeve në rrjetet sociale, ku u shpërnda një video dhe u përdorën etiketime e akuza që cënojnë dinjitetin profesional të gazetarit”.
Edhe kur ekzistojnë kundërshtime mbi raportimet apo informacionin e publikuar, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thotë se “përfaqësuesit më të lartë të pushtetit kanë detyrimin të respektojnë standardet e komunikimit publik dhe të mos përdorin gjuhë që stigmatizon apo nxit etiketime ndaj gazetarëve”.
“Veçanërisht shqetësues është fakti i etiketimeve të tilla si “gënjeshtar me pagesë”, i artikuluar nga një prej drejtuesve më të lartë të mazhorancës. Deklarata të tilla rrezikojnë të krijojnë një klimë presioni ndaj gazetarëve dhe vënë në dyshim punën e tyre përmes sulmeve personale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë rithekson se kundërshtimi i një raportimi apo i një publikimi duhet të bëhet me fakte, argumente dhe në të drejtën e përgjigjes, jo përmes sulmeve personale”.
UGSH u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi në komunikimin publik, duke respektuar rolin e medias dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre pa presion dhe pa etiketime.









