Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West përmes një akti normativ dhe përdorimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Në një reagim publik, ajo kërkoi që Kuvendi të ushtrojë kontrollin kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe respektimit të ligjit në administrimin e financave publike.
“Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e ‘nevojës’ dhe ‘urgjencës’ për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Në një shtet të së drejtës, çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.”









