Ish-ministrja gjermane e Mjedisit dhe deputetja e Bundestagut, Steffi Lemke, ka shprehur mbështetjen e saj për aktivistët që protestojnë në Shqipëri kundër projekteve të ndërtimit në zonat e mbrojtura.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lemke tha se e sheh pozitivisht vazhdimin e protestave dhe u shprehu solidaritet mbrojtësve të mjedisit, të cilët, sipas saj, janë angazhuar për ruajtjen e natyrës dhe të pasurive natyrore të vendit.
“Protestat kundër projekteve të diskutueshme të ndërtimit në Shqipëri vazhdojnë. Dua të shpreh edhe një herë solidaritetin tim me të gjithë ata që angazhohen për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit në Shqipëri”, shkroi deputetja gjermane.
Reagimi i Lemke vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat e njohura si “Revolucioni Flamingo”, të cilat nisën si kundërshtim ndaj ndërhyrjeve në zona të mbrojtura dhe më pas u shoqëruan edhe me kërkesa të tjera të artikuluara nga organizatorët.









