Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, qeveria po e trajton debatin mbi situatën ekonomike dhe politike në vend.
Tabaku pretendon se problemet me të cilat përballen qytetarët nuk lidhen me faktorë të jashtëm apo sulme të organizuara ndaj Shqipërisë, por me politikat dhe mënyrën e qeverisjes.
Në reagimin e saj, deputetja demokrate është ndalur te vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare, situata e pensionistëve dhe sfidat që, sipas saj, po përballon sektori i turizmit.
Postimi i Tabakut:
Kryeministrit i ka mbetur vetëm vetëviktimizimi dhe sajimi i armiqve të brendshëm e të jashtëm, për të ndërtuar alibinë e dështimit të tij.
Nuk ka asnjë agresion të organizuar politik apo ekonomik kundër Shqipërisë. Ka qytetarë që janë ngritur kundër një qeverie dhe një sistemi që punon për pakicën dhe varfëron shumicën.
Dështimi ekonomik nuk fshihet dot pas propagandës. Ai është në tryezën gjithnjë e më të varfër të familjeve shqiptare. Është te pensionistët që jetojnë në kufijtë e varfërisë, ku 27% e tyre konsiderohen të varfër sipas çdo standardi kombëtar dhe ndërkombëtar.
Edhe turizmi, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, rrezikohet nga ky sistem i padrejtë, nga korrupsioni, informaliteti dhe mungesa e vizionit.
Ky sistem i pakicës ka krijuar moçalin që po fundos ekonominë dhe po largon shqiptarët nga vendi i tyre.
Gjithçka tjetër është propagandë e vjetër dhe një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur në këmbë karakatinën e pushtetit. Koha është për ndryshim. Koha është të hapim një faqe të re për Shqipërinë.









