-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Kurthi i pyetësorëve të Ramës dhe modeli zviceran

Kryesoret

Nga Ilir Babaramo

Ushtari i huaj i fundit që ka shkelur territorin zviceran është Napoleon Buonaparti, në vitin e largët 1799. Dhe ai transit, gjatë fushatës së Italisë.

Neutraliteti ka qenë çelësi i sovranitetit. Megjithatë helvetët nuk i kanë besuar vetëm sistemit të tyre bankar, sistem i pranuar  globalisht nga të gjitha palët ndërluftuese gjatë shekujve të fundit.

Zvicra është një nga vendet më të armatosura për frymë në krejt botën. Dhe për çdo vendim që është marrë për sigurinë kombëtare, si për çdo çështje tjetër, kanë vendosur gjithë qytetarët. Kanë votuar në referendum.

Edi Rama po rreket t’u dëshmojë shqiptarëve se po përshtat të njëjtën metodë. Me tam-tame të mëdha propagandistike po shpërndan toneleta me letër në çdo ashensor, garazh pallati, pompë të përbashkët uji, shkallë të shtrembëta apartamentesh të kohës së Spiro Kolekës, shkurt ku të mund, pranë çdo dere banese, një pyetësor me 12 pika. Sipas tij janë 12 çështjet më të rëndësishme që ai, me demek, nuk i jep dot dum vetë dhe pyet shqiptarët para se të vendosë. Në këtë sallatë me 12 asortimente ka nga të gjitha. Shumë prej tyre Rama ka tentuar t’i realizojë, por ka hasur si në rezistencën e opinionit publik ashtu dhe refuzimin e bashkësisë ndërkombëtare siç janë për shembull: legalizimi i kanabisit, apo amnistia fiskale. Apo e ka marrë tashmë vendimin siç është për çështjen e “Ballkanit të Hapur”. Në pamje të parë duket se nuk ka asgjë të keqe në këtë nismë. Të lësh të vendosë sovrani për një çështje specifike është rruga më e mirë për të shmangur hesapet elektorale.

Në Zvicër rrallë ndodh që të ketë një të diel pa një referendum që zhvillohet diku në hapësirën e Konfederatës. Janë nga më të ndryshmit. Që nga ai se duhet të anëtarësohen apo jo në Hapësirën Ekonomike Evropiane ( Bashkimi Evropian I sotëm ) deri tek pyetja: A kanë të drejtë të zotët të presin bishtin e qenit të tyre. Ndodh që ka dhe një dilemë të tillë luksi. Në vitin e largët 1993, kur u zhvilluan dhe dy referendumet e sipërpërmendura, një nga debatet që mori më shumë kohë ishte pyetja: A duhet ta blejmë nga SHBA një flotilje me avionë F16?  Të gjithë ishin kategorikë në bindjen se Zvicra duhet të pajiset me armatimin më të sofistikuar. (Është shteti ku shërbimi i detyrueshëm ushtarak shkon deri në 50 vjeç, i shpërndarë ndër vite në mënyrë të ngjashme me zborin që bënin shqiptarët dikur. Është shteti ku gjithkush është zyrtarisht ushtar dhe është pajisur nga shteti me armë, të cilën e mban në shtëpi).

Pra, dilema nuk ishte duhet shpenzuar apo jo për mbrojtjen kombëtare. Shqetësimi qëndronte gjetkë. Ishte sipërfaqja e vogël e Zvicrës. Avionët që kërkonin të blinin dilnin jashtë territorit shtetëror sapo ngriheshin në ajër. Për hir të së vërtetës nuk më kujtohet rezultati i këtij referendumi.  Ajo që mbaj mend, ajo që më është ngulitur thellë në kujtesë është mekanizmi i qeverisjes. Çdo vendim, të paktën ata të rëndësishmit, merrej nga qytetarët. Të zgjedhurit, përfshirë dhe qeverinë, ishin thjesht noterë të çdo vendimi specifik të qytetarëve. Përfshirë thuajse gjithçka, deri dhe projektin e rehabilitimit të një rrugice lagje.

Këtë synon të arrijë Rama? Do ishte tejet naive ta besonim qoftë dhe për një çast. Është njësoj sikur të besojmë se te demokracia arrihet përmes Frontit dhe Bashkimeve Profesionale. Sepse mekanizmi është i njëjtë. Me pyetësorë të ngjashëm u morën fshatarëve deri dhe pulat nga qymezi qeveritarët e gjysmë shekulli më parë. Dhe atëherë nëpunësit e Frontit shkuan nëpër fshatra dhe u kthyen në Tiranë me përgjigjen se fshatarët e mbështesin tufëzimin. Ajo struktura që Rama, në emër të bashkëqeverisjes, ka krijuar pranë kabinetit të tij, të cilës nuk ia mbaj mend emrin, që shpërndan sa andej këtej vandakë me letra, ka ndikim vetëm te pastrueset e shkallëve që i nëmin se ju ka shtuar punën.

Kush është ai i marrë që do ta merrte seriozisht rezultatin e këtij anketimi të opinionit publik? Kush beson në paanshmërinë e asaj strukture të Rilindjes që si pjesë kryesore të “job description” ka të shajë në rrjete sociale me libër shtëpie këdo që është kundër? Shaka e trashë.

Jo vetëm në Zvicër, por dhe në çdo vend demokratik ka një dhe vetëm një mënyrë të anketimit të opinionit publik: VOTA. Votimi në referendum, ku palët pro dhe kundër kanë komisionerët e tyre. Si në çdo proces zgjedhor. Çdo mënyrë tjetër na çon te Fronti i shoqes Nexhmije dhe Bashkimi i Grave të shoqes Valdete.

Ka dy arsye përse Rama ka ndërmarrë këtë nismë. E para, që në fund të këtij procesi të thotë: ja sovrani foli, ta gëzojmë legalizimin e hashashit.

Arsyeja e dytë duhet të jetë më e rëndësishme. 12 pyetjet janë 12 fuçi që i hidhen balenës së opinionit publik nga anija e mbingarkuar me skandale e qeverisë. E keni vënë re? Sikur u harrua skandali i inceneratorëve. Askush nuk po e flet më. Megjithatë gojët e liga thonë se Teri është ndjerë i prerë në besë dhe ka filluar t’i tregojë shokët.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit