-sidi education-spot_img
31.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Opozita sulmon qeverinë e Kurtit për masat anti-COVID 19, dështon nisma për ndryshimin e tyre

Kryesoret

Partitë opozitare kritikuan qeverinë e Kosovës gjatë një debati në parlament për ndërmarrje masash të vonuara por edhe të paarsyeshme për të luftuar pandeminë e COVID-19.

“Siç po shihet, kjo qeveri ka bërë dy lloj gabimesh themelore në menaxhimin e pandemisë, ose ka hezituar për të lexuar situatën duke injoruar atë, ose e ka lexuar situatën gabimisht dhe kur hezitojnë që të lexojnë, ata nuk veprojnë në kohë, e kur e lexojnë gabimisht veprojnë në mënyrë kuturu, jo me plan, por me impuls. Çka ndodhi me masat parandaluese? Çfarë efekti dhanë masat e vendosura nga qeveria tash e disa muaj? Po shihet qartë ky efekt por fatkeqësisht është efekt regresiv”, tha Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ky është rezultati i qeverisjes së paaftë e cila nxjerr masa joadekuate në shpërputhje me situatën si dhe shpreh mungesë të vazhdueshme në parandalimin dhe luftimin e përhapjes së virusit. I neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv, kujdes fare në shkolla, me theks të veçantë krijon mungesa të testimit të vaksinimit në shkolla për fëmijët tanë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Nuk luftohet pandemia me orë policore, por me masa shëndetësore. Shumë më i arsyeshëm është kërkimi i pasaportës vaksinare në qendrat tregtare, në shkolla, në lokale të ndryshme, gjë që kjo në Kosovë nuk është bërë dhe as nuk po bëhet”, tha Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masat kufizuese janë rezultat i një procesi të kujdesshëm, ndërinstitucional për të frenuar rritjen e mëtejme të rasteve me COVID-19.

“Masat reflektojnë një balancim në mes të vlerave dhe parimeve të ndryshme, pra nga njëra anë, si kryeministër i Kosovës nuk kam detyrë më parësore se sa të mbrojë jetën e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion, sikurse prej fillimit jeta dhe shëndeti e qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit në të gjitha vendimet tona lidhur me pandeminë COVID-19”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është në fazën e rritjes së infektimeve dhe se nuk mund të ketë lirim të masave, derisa ta kalohet piku i rasteve.

“Omicroni është variant eksploziv dhe rezultati më i mirë arrihet me vaksinim sa më të madh edhe me dozën përforcuese, duke e ngadalësuar përhapjen edhe duke ruajtur edhe sistemin shëndetësor, jo vetëm shëndetësinë publike. Hospitalizimet dhe vdekjet janë nën kontroll, ajo që përpiqemi ne është që shkallën e rritjes ta zvogëlojmë sa më shumë”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet në Prishtinë po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Sipas ministrisë së Shëndetësisë mbi 830 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, ndërsa 65 mijë kanë marrë një dozë përforcuese.

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rekomandimet e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19. Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19. Qeveria në konsultim me ekspertët shëndetësor të miratojë strategjinë për COVID-19 dhe rritjeve të kapaciteteve, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore që vlejnë edhe për institucionet shëndetësore. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerjet e barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organe e hetuesisë. Me urgjencë të sillet ligji për pagat në Kuvend miratim dhe e fundit masat për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit, sidomos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Të njëjtat i quajti të papranueshme, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.

“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit… GP i LVV një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë të enjten se 6 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 3 mijë e 917 raste të reja të të infektuarve.

Rastet e reja u konfirmuan pas më shumë se 15 mijë testimeve që i bie se rreth 25 për qind e të testuarve dolën të infektuar.

Gjatë muajit janar kanë humbur jetën 18 veta nga koronavirusi, duke e çuar në 3 mijë e 10 numrin e përgjithshëm të viktimave të pandemisë, që nga shfaqja e saj në mars të vitit 2020.

Nga data 1 janar e deri më sot, janë regjistruar rreth 33 mijë raste te reja, dhe sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pothuajse të gjithë janë të prekur nga varianti Omicron i koronavirusit.

Nga e hëna qeveria vendosi masa kufizuese për të frenuar zgjerimin e shkallës së infektimeve dhe deri më 4 shkurt ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa kafenetë e restorantet do të punojnë deri në orën 21:00. Me masat e reja çdokush që hyn në Kosovë, duhet të jetë vaksinuar me tri doza vaksine apo me dy doza dhe të paraqesë një test negativ./VOA/

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit